YouTube Go nuk do të ekzistojë më duke filluar nga gushti i këtij viti. Ekipi i YouTubes lajmëroi se do të tërhiqte aplikacionin alternativ të versionit të plotë sepse është bërë i padobishëm përgjatë viteve, shkruan PC World.
YouTube zhvilloi aplikacionet Go si opsion për përdoruesit ku aksesi në internet është ose i kufizuar ose i ngadaltë. YouTube Go u lansua për herë të parë më 2016-n, ndërsa YouTube vazhdimisht ka përmirësuar aplikacionin parësor në aspektin e performancës.
Janë pikërisht këto përmirësime të cilat kanë bërë që aplikacioni kryesor të funksionojë me efikasitet më të lartë edhe për përdoruesit në rrjete të ngadalta.
Aktualisht kompania po punon për të ofruar kontrolle me të cilat përdoruesit mund të ulin konsumi e paketave të internetit.
Tashmë përdoruesit e YouTube Go po rekomandohen të kalojnë në aplikacionin kryesor të YouTubes, i cili ndryshe nga versioni i limituar i lejon ata të komentojnë, postojnë, krijojnë përmbajtje apo të përdorin funksione të avancuara si ndërfaqja e errët.
Në fillim, YouTube Go u ofrua për vende si India dhe Indonezia ndërsa më pas u shtri në 130 shtete më 2018-n.