Tech

New York Times padit kompanitë OpenAI dhe Microsoft

Organizata amerikane e lajmeve, New York Times, i ka paditur OpenAI dhe Microsoft, me pretendimin se e drejta e saj e autorit janë përdorur jashtëligjshëm për të trajnuar sistemin e inteligjencës artificiale.

BBC-ja ka raportuar të mërkurën se sipas NYTimes, shumë artikuj të botuar janë përdorur pa lejen e saj për ta bërë platformën ChatGPT më të zgjuar, derisa mediumi pretendon se aplikacioni “tashmë po i bën konkurrencë si një burim i besueshëm informacioni”.

Mediumi amerikan po pretendon se ChatGPT ka gjeneruar fragmente fjalëpërfjalshëm, nga artikujt që lexuesit është dashur të paguajnë për t’i qasur.

New York Times ka thënë tutje se ky veprim i OpenAI ka ndikuar që të ulen edhe klikimet dhe reklamat nga personat që vizitojnë faqen e internetit.

Padia, e paraqitur të mërkurën në një gjykatë federale në Manhattan, bëri të ditur se New York Times kishte tentuar ta zgjidhte mospajtimin me OpenAI në mënyrë miqësore, por pa sukses.

Microsoft ka partneritet me OpenAI për të bashkëpunuar në zhvillimin e teknologjisë. Microsoft ka investuar në OpenAI 10 miliardë dollarë.