Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Në Spanjë niset hetim ndaj Booking.com

Booking.com

Mbikëqyrësi spanjoll i konkurrencës ka nisur një hetim ndaj uebfaqes holandeze të rezervimit të hoteleve “Booking.com”, mbi praktikat e mundshme keqpërdoruese të konkurrencës që prekin hotelet dhe agjencitë rivale të udhëtimit, shkroi të hënën Reuters.

Rregullatori, i njohur si CNMC, ka thënë se procedurat nisën pas dy ankesave të paraqitura nga Shoqata Spanjolle e Menaxherëve të Hoteleve (AEDH) dhe Shoqata e Biznesit të Hoteleve në Madrid.

CNMC-ja ka njoftuar për gjetjen e të dhënave nga të cilat besohet se Booking.com mund të ketë shkelur ligjet antitrust të Spanjës, si dhe nenin 102 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, i cili ndalon kompanitë të abuzojnë me një pozicion dominues në treg.

Booking.com tha se do të bashkëpunojë me CNMC-në gjatë hetimit, duke u përgjigjur në çdo pyetje lidhur me biznesin në Spanjë.

Nëse vërtetohet se Booking.com ka thyer ligjin spanjoll antitrust, mund të përballet me gjoba që variojnë nga 100,000 euro deri në më shumë se 10 milionë euro.

Ankuesit argumentuan se faqja për rezervime ka vendosur kushte të padrejta për hotelet e vendosura në Spanjë dhe ka zbatuar politika që mund të çojnë në efekte përjashtuese të agjencive tjera të udhëtimit në internet.