Materiali i rrjedhur promovues për Moto Z4 tregon specifikime që janë shumë të ngjashme me modelin Moto Z4 Play, për të cilin informacionet po qarkullojnë tash disa muaj, raporton 91mobiles.
Sipas detajeve më të reja, Moto Z4 ka çipset Snapdragon 675 (njëjtë si Z4 Play), në vend të serisë premium Snapdragon 800 të cilën e kishte Moto Z3. Materiali promovues gjithashtu e sugjeron çmimin që është pothuajse dy herë më i ulët se çmimi i modelit premium, gjë që gjithashtu konfirmon se bëhet fjalë për një telefon të segmentit të mesëm.
Të dy modelet do të duhej të kenë kamerë prej 48MP në anën e pasme, ndërsa modeli standard Moto Z4 do të duhej të ketë selfie kamerë prej 25MP.
Duhet të theksohet se ka shumë mundësi që thashethemet e shumta po e ngatërrojnë Moto Z4 me Z4 Play. Deri më tani është vërejtur vetëm një ndryshim midis dy telefonave. Moto Z4 thuhet se e ka një ekran më të madh se modeli Play: 6.4 inç kundrejt 6.22 inç.
Të dy modelet, sipas thashethemeve, do të duhej të kenë sensorë in-display për gjurmë të gishtave dhe notche në ekran. Bateritë kanë kapacitet prej 3600mAh me mbështetje 18W TurboCharge, ndërsa në dispozicion është edhe porti 3.5mm, shkruan KOHA Ditore.
Moto Z4 do të jetë telefon 4G, por do të mbështesë 5G MotoMod, për ata që e kanë mundësinë dhe duan t’i provojnë rrjetet mobile të gjeneratës së ardhshme.