Thashethemet sugjerojnë që Microsofti është duke përgatitur një version të ri të Windows 10, që do të ofronte përvojë shfrytëzuese bazike dhe më modeste (në stilin siç e ofrojnë modelet Chromebook), dhe që do t’u dedikohet notebookëve bazikë dhe pajisjeve me dy ekrane.
Windows Lite, siç e quan sajti The Verge, është dizajnuar ashtu që prodhuesve t’u mundësojë që të plasojnë një kategori të re produktesh, si në formë të sistemeve të ngjashme me Chromebookët, po ashtu edhe në formë të pajisjeve të ardhshme me dy ekrane. Grupi i dytë i pajisjeve do të ketë format në formën e librit dhe do të ofrojë mjaft potencial për multitasking.
Si duket Windows Lite do të shfrytëzojë “Composite Shell”, versionin modular të Windows Shell, si dhe një pjesë të Core OS të ri të Microsoftit, i cili shfrytëzohet për të vënë në lëvizje pajisjet HoloLens 2, shkruan KOHA Ditore.
Sugjerohet që në fillim Windows Lite OS do të përkrahë vetëm aplikacionet UWP (Universal Windows Platform), duke e kufizuar softuerin në Windows 10 Store, por përkrahja më e gjerë do të duhej të pasojë më vonë.