Sipas burimeve, Microsofti e ka riorganizuar mënyrën se si i shton azhurnimet më të mëdha për Windows 10. Kompania aktualisht është duke e përdorur sistemin e azhurnimit dy herë në vit.
Azhurnimet më të mëdha të sistemit, në këtë rast, i referohen një pakete të azhurnimit prej disa gigabajtëve e cila e ndryshon versionin e sistemit operativ, fajllat kryesor, dhe sjell ndryshime të konsiderueshme në interfejsin e përdoruesit. Azhurnimi më i ri i këtillë ishte Windows 10 May 2019 Update (1903).
Me sistemin e ri të azhurnimit, Microsofti planifikon t’i shpërndajë azhurnimet më të mëdha gjatë njërës gjysmë të vitit, si dhe një azhurnim më të vogël gjatë gjysmës së dytë. Ky azhurnim më i vogël, ose "point update", ka kapacitet shumë më të vogël, por ende shumë më të madh se azhurnimet mujore "Patch Tuesday", duke shtuar funksione dhe ndryshime të interfejsit, shkruan KOHA Ditore. Azhurimi më i madh vjetor mundëson ndryshime në sistemin operativ, të cilat nuk janë të dukshme në shikim të parë, siç janë azhurnimet e kernelit, API-t, modelet e drajverit etj.
Versioni i ardhshëm i Windowsit, për të cilin pritet të jetë Windows 10 version 1909, do të jetë një azhurnim më i vogël krahasuar me versionin 1903, por më i madh për ata që e përdorin variantin 1809. Pasardhësi i tij, Windows 10 version 2003 (mars 2020), do të jetë një azhurnim i madh, pavarësisht nga versioni që përdoruesi e kishte atëherë.