Tech

MasterCard prezantoi kartën e kreditit me sensor për gishtërinj

Kompania MasterCard e ka prezantuar një kartelë krediti e cila e ka një sensor për gjurmë gishtash.

Karta është prezantuar dhe del në përdorim pas dy periudhash të suksesshme testuese në Afrikën e Jugut.

Teknologjia funksionon në të njëjtën mënyrë si edhe sistemi i pagesës me telefona mobil, pra përdoruesit duhet ta vendosin gishtin mbi sensor kur paguajnë.

Ekspertët e sigurisë kanë thënë se përdorimi i gishtit nuk është plotësisht i sigurt, por është ende një përdorim “i arsyeshëm” i teknologjisë biometrike, transmeton “Koha Ditore”. Shefi i sigurisë së MasterCard, Ajay Bhalla, tha se kjo teknologji mund të ofrojë siguri dhe komoditet të shtuar, sepse gjurma e gishtave është diçka që nuk mund të përsëritet dhe të merret”.

Megjithatë, sensori për gjurmët e gishtave gjithsesi mund të komprometohet. Karsten Nohl, kreu i Security Reseach Labs në Berlin, tha për BBC se për keqpërdorim nevojitet vetëm qelqi ose diçka që pronari i kartelës e ka prekur më parë. Megjithatë, ai shtoi se është optimist i kujdesshëm dhe se kjo teknologji është më e mirë se ajo që është aktualisht në dispozicion.

“Në kombinimin e çipit dhe PINit, elementi i dobët është PIN-i. Duke e përdorur gjurmën e gishtit ky element eliminohet”, tha Nohl. Verifikimi biometrik do të përdoret vetëm në dyqane, ndërsa pagesa online ende do të kërkojë masa shtesë të sigurisë.