Gjatë samitit "5G is now" në Shangai, drejtori i “Huawei” e shfrytëzoi rastin ta prezantojë suksesin e deritanishëm të kompanisë në fushën e biznesit me 5G. Ai zbuloi se gjiganti kinez ka arritur t’i sigurojë 50 kontrata komerciale në mbarë botën, gjë që e bën kompaninë furnizuesin më të madh botëror të pajisjeve 5G, raporton “GSMArena”.
Livrimi i ka tejkaluar 150.000 sete të pajisjeve, ndërsa kontratat përfshijnë vende, si: Koreja e Jugut, Finlanda, Zvicra dhe Britania e Madhe. “Nokia” dhe “Ericsson” pasojnë në vendin e dytë dhe të tretë me 30 dhe 18 kontrata komerciale.
“Huawei” e dominon tregun falë 2.160 patentave të veta 5G SEP, ndërsa “Nokia” i ka 1.516. Statistikat tregojnë se 34% e pajisjeve 5G vijnë nga Kina, ndërsa Koreja e Jugut e mban 25% të tregut. Pasojnë SHBA-ja dhe Finlanda me nga 14 për qind, ndërsa Suedia mban 8 për qind të tregut, shkruan KOHA Ditore.
Si duket pavarësisht ndalimit amerikan në pajisjet 5G të “Huawei”, kompania ka arritur ta ruajë pozicionin e saj udhëheqës në këtë segment të tregut në mbarë botën.