Tech

HTC nuk heq dorë nga tregu i telefonave, planifikon rikthimin

Kompania tajvaneze HTC ka kohë që nuk e paraqet një lojtar serioz në tregun e telefonave. Gjatë viteve të fundit kompania i ka lansuar disa telefona, prej të cilëve shumica në segmentin e mesëm dhe të sipërm.

Këtë vit, nga kompania HTC nuk e kemi parë asnjë telefon, përveç modelit Wildfire X, i cili është prodhuar nga një kompani tjetër dhe vetëm e ka licencuar emrin HTC, raporton GSMArena.

Yves Maitres, CEO i kompanisë, tani thekson se HTC nuk po heq dorë nga biznesi i telefonave. Ai e përmendi vizionin e tij të kthimit të kompanisë në tregun e telefonave premium, ndërsa kjo do të ndodhë kur të jetë koha e duhur për këtë, shkruan KOHA Ditore. HTC do të përqendrohet në tregjet e zhvilluara dhe të fuqishme, në vend se të garojë me konkurrentët në tregjet në zhvillim.

Maitres e përmendi edhe arsyen se pse HTC është kaq prapa prodhuesve të tjerë të telefonave në industri. Sipas tij, HTC ka kohë që i ka ndalur investimet në hulumtim dhe zhvillim dhe në vend të kësaj është përqendruar në zhvillimin e VR. Ndërkohë, kompanitë si Samsung dhe Huawei nuk janë ndalur me investime në inovacionet harduerike, gjë që e dëshmojnë edhe rezultatet e shitjeve të tyre.