Tech

Google-it i rekomandohet të refuzojë certifikimin e telefonave të mençur që komprometojnë privatësinë

Fondacioni Metamorfozis, në Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, iu bashkua iniciativës së Privacy International kundër përdorimit eksploatues të aplikacioneve të parainstaluara në telefonat e mençur që përdorin Android, njofton ky fondacion.

Privacy International, me mbështetjen e më shumë se 50 organizatave në të gjithë botën, publikoi një letër të hapur dërguar Sundar Pichait, drejtor ekzekutiv i Alphabet Inc., kompani amë e Google, në të cilën kërkon nga Google që të ndërmarrë masa kundër përdorimit të aplikacioneve të parainstaluara në telefonat e mençur që përdorin Android. Përmes kësaj iniciative dërgohet paralajmërimi, por gjithashtu bëhet thirrje për veprim nga prodhuesit e telefonave të mençur, të cilët e vendosin fitimin përpara privatësisë së shfrytëzuesve, duke instaluar aplikacione në pajisje me çmim të ulët të shitjes.

Kërkesa dërguar Google-it është e qartë, të rishikohen parametrat standarde të privatësisë dhe të sigurisë që janë të futura në telefonat e mençur me çmim të ulët të shitjes, e që kanë të bëjnë me aplikacionet e parainstaluara, të cilat përdoruesit nuk kanë mundësi t’i fshijnë dhe të cilat mund ta komprometojnë privatësinë e tyre. Rekomandimet kanë të bëjnë me sigurimin e:

-mundësisë që përdoruesit vetë t’i fshijnë përgjithmonë aplikacionet e parainstaluara, si dhe të gjitha shërbimet që janë aktive në prapavijë;

-mundësive të njëjta për kontroll të sigurisë dhe të privatësisë në aplikacionet e parainstaluara sikurse për atë që janë të disponueshme në Google Play Store;

-mundësi të njëjta për azhurnim, mundësisht përmes përdorimit të mekanizmave për azhurnim të Google Play dhe pa përdorimin e profilit të përdoruesit;

Për më tepër, rekomandohet që Google të refuzojë të bëjë certifikimin e telefonave të mençur, prodhuesit ose shitësit e të cilëve përpiqen ta komprometojnë privatësinë e përdoruesve përmes aplikacioneve të parainstaluara.

Përmbajtja e plotë e letrës mund të gjendet në linkun e mëposhtëm https://action.privacyinternational.org/node/9.

Fondacioni Metamorfozis, përmes programit Të drejtat e njeriut në internet, synon ta marrë rolin udhëheqës në procesin e përfaqësimit për të drejtat e njeriut, duke u ndihmuar komuniteteve të përballen me ndryshimet e mëdha që vijnë nga ndikimi në rritje i teknologjive të reja. Metamorfozis përqendrohet në mbrojtjen e privatësisë duke i forcuar kapacitetet e qytetarëve, institucioneve dhe sektorit të biznesit për të funksionuar në një shoqëri digjitale.