Google ka njoftuar se emailat në Gmail do të jenë më të dobishëm dhe më interaktiv në të ardhmen, pasi që së shpejti do të bëhen më dinamik. Kjo do të thotë që emailat do të mund të azhurnohen në kuadër të inboxit, ose që përdoruesit t’ia mundësojnë që ta kryejë ndonjë veprim pa u larguar nga inboxi.
Shembulli i parë që Google e ka treguar për ta përshkruar këtë funksion është dokumenti që e komenton temën në Google Docs. Në vend që të shihet emaili në komentin e ri në të cilin përdoruesi mund të përgjigjet, emaili dinamik në Gmail do të mundësojë që në këtë koment të përgjigjet nga vetë mesazhi, shkruan KOHA Ditore.
Kjo gjithashtu do të thotë se përdoruesit e biznesit do të jenë në gjendje t’i azhurnojnë emailat e dërguar tek përdoruesit, ashtu që informacioni aktual të jetë gjithmonë i disponueshëm. Google i siguron përdoruesit se të gjitha informatat dhe funksionet do të mbrohen.
Emailat e rinj dinamik tashmë kanë filluar të arrijnë tek përdoruesit e uebit dhe së shpejti do të jetë në dispozicion edhe përkrahja për pajisjet mobile.