Në fillim të këtij viti, Instagrami e filloi eksperimentin për t’i fshehur pëlqimet për postime, ku ndjekësit e personit nuk mund ta shihnin numrin që tregon se sa herë është klikuar butoni "like" për një postim të caktuar. Kompania e ka zgjeruar këtë test edhe tek reklamuesit, ndërsa tani kompania Facebook po fillon me teste të ngjashme në aplikacionin e vet kryesor, raporton Neowin.
Prototipi i aplikacionit të Facebookut për Android po e teston largimin e njehsorit like/reaction për të gjithë, përveç personit që e ka postuar përmbajtjen. Kjo do të thotë që përdoruesit do të jenë në gjendje t’i shohin vetëm emrat e njerëzve që e kanë lënë reagimin në postimin e caktuar. Komentet, nga ana tjetër, do ta kenë ende njehsorin për reagime.
Testimi i funksionit shërben në luftën kundër profileve të rreme dhe reagimeve inorganike ndaj përmbajtjes, dhe do të jetë pjesë e përpjekjeve për ta përmirësuar cilësinë e jetës, shkruan KOHA Ditore. Studimet sugjerojnë që përfshirja në rrjetet sociale dhe popullariteti mund të lidhen me mirëqenien mendore. Mungesa e njehsorit të pëlqimeve/reagimeve do të duhej ta forcojë angazhimin dhe interesimin e sinqertë për postimet dhe përmbajtjen.
Mbetet të shihet sesi do ta menaxhojë Facebooku këtë ndryshim si dhe kur dhe nëse ai do t'i vihet në dispozicion publikut më të gjerë, si dhe si do të reagojnë ndaj tij bizneset dhe brendet.