El Salvadori është bërë shteti i parë në botë që ka pranuar Bitcoinin si valutë të ligjshme, në një lëvizje që ka bërë shtetin dhe botën të debatojnë për mundësitë dhe rreziqet e kriptovalutave.
Nga sot, bizneset në El Salvador janë të obliguara të pranojnë monedhat digjitale si formë pagese.
Miliona qytetarë pritet të shkarkojnë një kuletë digjitale të Qeverisë që ua jep atyre edhe 30 dollarë në Bitcoin.
Adhuruesit e Bitcoinit nëpër botë kanë blerë 30 dollarë Bitcoin për të treguar përkrahjen e tyre dhe për të ndihmuar të rritet vlera e valutës.
Taksisti nga El Salvadori, Daniel Hercules, është i entuziazmuar për këtë lëvizje, por edhe i shqetësuar se sa stabil do të jetë fitimi i tij.
“Unë kam pranuar Bitcoinin dy muaj pasi e kam ditur se po bëhet kjo. Më pagoi njëri tash 40 dollarë në Bitcoin për ta çuar në aeroport. Vetëm rreth 10 për qind e konsumatorëve preferojnë të paguajnë me Bitcoin”, ka thënë Hercules.
Daniel thotë se kostoja e konvertimit të Bitcoinit në valutën lokale – dollar amerikan – është më e lartë se 10 për qind, dhe se ai po i përdor këto para si llogari e kursimeve.
Ai shpreson që valuta e tij të ngrihet në rreth 1000 dollarë në Bitcoin, por është i frikësuar se do të bjerë vlera.
“Është një nga gjërat që më shqetëson më së tepërmi. Të humbi para nga ditët e gjata të punës nuk është në rregull”, tha Daniel Hercules.
Vlera e Bitcoinit është rritur në mënyrë dramatike në vitin e fundit.
Është ngritur nga rreth 10 mijë dollarë për një Bitcoin në shtator të vitit 2020, në deri 63 mijë dollarë në prill të vitit 2021. Më pas ra në 30 mijë dollarë në korrik të këtij viti.
Por, vlera është rritur sërish në 51 mijë dollarë, ndërsa analistët shohin një lidhje me lajmet nga El Salvadori.
Të hënën, një postim në faqen e Bitcoinit është bërë viral në Redditt. Në të thuhej: “Pra...Ne të gjithë po blejmë Bitcoin për 30 dollarë të martën?”
Mirëpo, një anketë në Universitetin Amerikan Qendror ka zbuluar se vetëm 4.8 për qind e 1281 personave të anketuar kuptojnë se çfarë është Bitcoini dhe se si përdoret.
Më tepër se 68 për qind të anketuarve nuk pajtohen me përdorimin e kriptovalutave si valuta të ligjshme.
Jeanette Sandoval 70-vjeçare, që shet gjëra ushqimore me të birin, thotë se nuk do të përfshihet në këtë.
“Gjithmonë kam qenë e hapur për ndryshime, por kësaj radhe nuk pajtohem. Konsumatorët tanë nuk do të paguajnë me Bitcoin”, tha ajo.
Më tepër se 200 aparate të reja për konvertim të kriptovalutave nëpër vend, për të ndihmuar të kthehen Bitcoinët në dollarë.
Protesta e fundit në kryeqendër San Salvador ka dëshmuar për mungesë besimi në mesin e qytetarëve, që thonë se masat janë shpërqendrim ndaj rregullit kontrovers të qeverisë.
Shumë qeveri nëpër botë, përfshirë edhe Kina, po shkojnë në drejtim të kundërt në këtë aspekt, duke tentuar që të kufizojnë përdorimin e kriptovalutave.
Mirëpo, ish-banori i El Salvadorit, Gerson Martinez, që tash jeton në SHBA, beson se El Salvadori nuk do të jetë vendi i vetëm që do të lejojë Bitconin si valutë.
“Është e vështirë ta përshkruajë shpresën dhe gëzimin që ndjejë që shteti ynë është pioner i këtij tranzicioni të paevitueshëm. Çfarë momenti për të qenë salvadorian”, ka thënë ai.