Tech

Devil May Cry 5 bëhet loja e dytë më e popullarizuar e Capcom për PC

Capcom po hyn në epokën e re të artë për sa i përket gejmingut në PC. Monster Hunter World është shumë i popullarizuar në këtë platformë, ndërsa titujt e publikuar kohët e fundit, si Devil May Cry 5 dhe Resident Evil 2 (Remake), e kanë ngritur popullaritetin në një nivel krejt të ri në segmentet e tyre, përcjell Overclock3D.

Si publikimi i dytë i madh i Capcomit këtë vit, Devil May Cry 5 tregon se ky mund të jetë një sezon i shkëlqyeshëm për kompaninë e njohur. Loja e ofron një version cilësor në PC, dhe njëkohësisht arrin edhe shitje të shkëlqyeshme.

Para pak ditësh, Devil May Cry 5 i kishte mbi 82,000 lojtarë të cilët në të njëjtën kohë ishin në Steam gjatë një dite, ndërsa numri maksimal i lojtarëve ishte 89,000. Kjo ishte e mjaftueshme për ta vendosur lojën në listën Top 10 Steam, ku është edhe tani, shkruan KOHA Ditore.

Capcom filloi të përqendrohej më shumë në gejmingun për PC, dhe kjo dha rezultate të shkëlqyera nëpërmjet rritjes së shitjeve dhe fitimeve shtesë për kompaninë. Kjo i hap rrugën zhvillimit të vazhdueshëm të titujve për PC në engine shumë të aftë RE, të cilin kompania e implementon në titujt e vet.