Një aplikacion në orë e identifikoi në mënyrë korrekte çrregullimin serioz të zemrës me një saktësi prej 84 për qind, raportojnë hulumtuesit. Orët e mençura mund të jenë mania më e fundit e teknologjisë, por ato gjithashtu mund të jenë të dobishme për monitorimin e shëndetit të zemrës, sipas një studimi të ri i cili i analizon të dhënat e përdoruesve të mbledhura nga pajisjet, me një saktësi të konsiderueshme, shkruan sot Koha Ditore.
Hulumtuesit e Universitetit Stanford raportojnë në studimin e publikuar ditë më parë në New England Journal of Medicine, se më shumë se një e treta e përdoruesve të Apple Watch u identifikuan se kishin fibrilacion atrial, ose AFib, bazuar në të dhënat e mbledhura nga pajisja. Hulumtuesit e vlerësuan aftësinë e aplikacionit të orës për identifikim të pulsit të parregullt për ta identifikuar fibrilacionin e mundshëm atrial në më shumë se 400,000 përdorues.
Edhe pse vetëm 2.100 pjesëmarrës morën njoftime për puls të parregullt, 34 për qind e tyre u zbuluan se kishin AFib, siç u konfirmua nga testet pasuese me elektrokardiogram. Në përgjithësi, autorët zbuluan se aplikacioni mund ta parashikonte gjendjen me një saktësi prej 84 për qind.
"Ardhja e teknologjisë së bartshme ka sjellë mundësi të rëndësishme në lidhje me përdorimin e saj në përmirësimin e kujdesit shëndetësor", tha për UPI bashkautori i studimit, Marco Perez, profesor i asociuar i mjekësisë kardiovaskulare në Stanford.
"Studimi zbuloi se teknologjia mund t’i identifikojë në mënyrë të sigurtë parregullsitë e rrahjeve të zemrës për të cilat testimet pasuese konfirmuan se janë fibrilacion atrial".
Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, fibrilacioni atrial, ose AFib, është "rrahja dridhëse ose e çrregullt e zemrës, e cila mund të çojë në mpiksje gjaku, goditje në tru, dështim të zemrës dhe komplikime të tjera të lidhura me zemrën".
Edhe
Apple Watch tregohet e saktë në monitorim të stresit
Më shumë se 2.7 milionë amerikanë jetojnë me këtë gjendje, thotë organizata, ndërsa Perez e quajti atë shkak kryesor për hospitalizim në Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrësit në studim, të cilët morën njoftime për puls të parregullt nga ora e tyre Apple Watch, u ekzaminuan për një javë me një fashë elektrokardiografie, e cila është krijuar për t’i monitoruar vazhdimisht impulset elektrike të krijuara nga zemra.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)