Tech

Apple planifikon të rregullojë një mangësi të madhe të iPadit

Në konferencën e zhvilluesve që Apple do të mbajë javën e ardhshme, kompania do të ketë disa lajme të mëdha për iPadOS 16, sipas Bloomberg.

Kompania prej kohësh ka shtuar përpjekjet e saj për të pozicionuar tabletin iPad si një alternativë e një laptopi dhe këtë e ka bërë përmes disa ndryshimeve në softuer.

iPadOS 16 do të vijë me një ndërfaqe krejtësisht të rimodeluar të punës me disa aplikacione duke prezantuar edhe ndryshimin e përmasave të dritareve.

Aktualisht përdoruesit mund të qasen në aplikacione ose individualisht në ekran të plotë ose dy aplikacione njëherazi me ndërfaqen “Split View”.

Versioni i ardhshëm i iPadOS e ndryshon plotësisht këtë qasje, duke e bërë më të lehtë kalimin nga një aplikacion te tjetri. Një prej spekulimeve është se Apple do t’u japë mundësi përdoruesve të ndryshojnë madhësinë e dritareve njëlloj si në një kompjuter Windows.

Opsionet e reja të punës me disa aplikacione dhe mundësitë për të ndryshuar madhësinë e dritareve të aplikacioneve të hapura janë një shkëputje drastike me të kaluarën e iPad.