Worldwide Developers Conference e Apple u mbajt më 22 qershor dhe atë si ngjarje virtuale ku pjesëmarrësit në vend se të shkonin fizikisht në konferencë, u kyçën me anë të internetit. Në mesin e risive kryesore ishin iOS 14, kalimi nga çipat Intel në ata ARM të Apple për Mac, dhe shumë risi tjera. Ajo që mungonte ishte hardveri i ri. Thashethemet për dëgjueset AirPod Studio apo një iMac të ri dizajnuar nuk u bënë realitet. Në vend të kësaj, fokusi ishte kryesisht në ndryshimet e softuerit përgjatë tërë ekosistemit të Apple, shkruan TechRadar.
Apple e nisi konferencën me mesazhe të përkushtimit ndaj barazisë dhe kontributit në edukim, barazi ekonomike dhe drejtësi. Gjithashtu kompania tha se po hapte një kamp të ri për zhvilluesit ndërmarrës afro-amerikanë. “Jemi të zotuar të bëjmë ndryshime,” tha drejtori i Apple, Tim Cook, përcjell KOHA.
Apple falënderoi edhe punonjësit shëndetësorë, para se të prezantonte risitë në programet e veta.
Apple e bën më të lehtë gjetjen e aplikacioneve dhe informatave nga faqja kryesore, duke krijuar App Library e cila aranzhon aplikacionet tuaja në mënyrë që t’i navigoni më lehtë.
Edhe Siri është modifikuar, duke zënë më pak hapësirë në Interface. Siri tani mund të përdoret për diktim, dhe me aplikacionin e ri Translate Siri do të ketë edhe mundësinë e përkthimeve.
Ndryshime ka edhe tek Messages, ku porositë kryesore mund t’i vendosni në krye të listës, pastaj ndryshime në Maps, ku janë shtuar edhe rrugët e biçikletave, rrugicat dhe transporti publik, në mënyrë që të zbuloni vende të reja kur jeni jashtë.
Gjithashtu në Maps janë paraqitur edhe rrugët për makinat elektrike me ndalesat për të mbushur bateritë.
Apple gjithashtu ka krijuar çelësin digjital për automobila të emërtuar Car Key. me Car Key, mund të hapni dhe të nisni veturën me Iphone, ku me anë të aplikacionit mund të shkëmbeni çelësin edhe me të tjerët, dhe prindërit mund të përcaktojnë kufizimet e vozitjes për vozitësit e rinj në familjen e tyre.
Ndryshme ka përjetuar edhe iPadOS, me një ekran më të madh, me aplikacionin e ri Photos App. Pastaj Scribble text për shënime ku me laps mund të shkruani dhe të përdorni IpadOS me shumë lehtësi. Shkrimi juaj pastaj do të shndërrohet në tekst.
Apple ka shtuar karakteristika edhe tek dëgjueset AirPods, ku algoritmet e reja do të drejtojnë zërin tek veshët tuaj në mënyre spatiale (hapësinore), ashtu siç e dëgjoni zërin në teatër. Ka një sensor i cili lexon lëvizjet tuaja dhe pastaj e ndryshon mënyrën se si shpërndahet zëri për një përvojë më të mirë Surround të dëgjimit.
Ndryshime ka edhe për Apple Watch dhe WatchOS 7 duke e bërë më të lehtë që të përcillni fitnesin dhe shëndetin. Çiklistët tani nga ora mund të marrin udhëzime hap pas hapi.
Me anë të orës do të mund të përcillni edhe gjumin që bëni, por edhe të kontrolloni larjen e duarve ku ora ju tregon se sa gjatë i keni larë ato.
Edhe sa i përket privatësisë, Apple thotë se ka mundësuar qarkullimin e informatave brenda vetë pajisjeve, duke procesuar sa më shumë informata në pajisjen tuaj në vend se te dërgohen nëpër serverë të jashtëm.
Në pajisjet televizive, Apple përmes TvOS14 ka prezantuar mundësinë për ti parë tekstet gjersa shikoni video muzikore. Edhe video lojërat mund të përdoren më lehte e më mirë në Apple TvOS14, ngase tani platforma përkrahë edhe kontrolluesit e Xbox.
Produkti i ri i Mac Os është Big Sur dhe paraqet një dizajn të ri dhe komponentë të reja në Mac. Do të ketë konsistencë në mes të të gjitha produkteve, dhe mund të lëvizni nga një pajisje në tjetrën pa problem.
Por lajmi ndoshta kryesor është se pas 15 vitesh me procesorët Intel në Mac, Apple ka njoftuar se ka zhvilluar vetë procesorin i cili do t’i japë Macut një performancë më të mirë. Do të përdorë sistemin e vet SoC (sistem on a chip), duke e bërë kështu Macun të pavarur nga pjesë që nuk prodhohen nga Apple. Kompania është duke lëvizur gjithnjë e më shumë drejt pavarësimit dhe krijimit të produkteve me komponentë të dizajnuara dhe prodhuara nga vetë Apple.
{gallery}