Gjiganti teknologjik, Apple, ka vendosur që aplikacionet të tregojnë provat të një licence të qeverisë kineze përpara se të publikohen në App Store në Kinë.
Siç raportohet nga Reuters, kompania amerikane ka filluar t'u kërkojë zhvilluesve të marrin “Leje për Ofruesin e Shërbimeve të Internetit (ICP)” në mënyrë që të vendosin një produkt në App Store.
Licenca ICP është një sistem regjistrimi që kërkohet prej vitesh që faqet e internetit të funksionojnë legalisht në Kinë dhe Apple tani i bashkohet Tencentit dhe Huaweit që prezantuan këtë ndryshim më 2017.
Për të marrë një licencë, zhvilluesit duhet të kenë kompani në Kinë ose të punojnë me një kompani lokale.
Problemi, megjithatë, është se qasja në qindra mijëra aplikacione në versionin kinez të App Store tani do të bëhet më i ndërlikuar - jo vetëm që do të jetë e vështirë për përdoruesit të shkarkojnë aplikacione të njohura perëndimore, por edhe ato si Telegrami.
Shumë kinezë përdorin VPN dhe tani do të duhet të përdorin App Store nga një rajon tjetër për të hyrë në aplikacionet e tyre të preferuara. Nga ana tjetër, Apple u detyrua të bënte këtë kompromis sepse Kina është rajoni i tretë më i madh për ta kur bëhet fjalë për shitjet e softuerëve.