Gjatë MWC-së e patëm mundësinë të shohim paralajmërime për telefona të ndryshëm Android të cilët do ta mbështesin 5G, ndërsa qëndrimi i Apple ndaj standardit 5G është ende i paqartë. Raportet e mëhershme sugjeronin se Apple do të mund t’i lansojë modelet e veta iPhone 5G në vitin 2020. Megjithatë, raporti i fundit i Bloombergut i përmend gjetjet e analistit Matthews Ramsay, i cili pretendon se Apple është aktualisht në një pozitë të vështirë, raporton Ubergizmo.
Ramsay pohon se Apple aktualisht i ka katër opsione kur është fjala për 5G, ndërsa opsioni më i logjikshëm dhe i kuptueshëm në mesin e tyre do të ishte që kompania t’i krijojë modemet e veta në vend që të mbështetet në furnizues. Kjo nuk do të ishte hera e parë që kemi dëgjuar thashetheme të tilla, por sipas Ramsay, kjo do të mund të rezultojë të jetë taktikë shumë e kushtueshme e cila do të mund të bëjë që Apple të mos e lansojë telefonin 5G para vitit 2020, shkruan KOHA Ditore.
Opsionet e tjera të sugjeruara nga Ramsay përfshijnë përdorimin e modemit "inferior" të Intel, i cili nuk do të ketë mundësi mmVave. Një opsion tjetër do të ishte marrja e modemëve nga kompanitë si Samsungu, por kjo do të mund të çonte në kushte të pafavorshme komerciale. MediaTek u përmend si një furnizues i mundshëm, por Ramsay thekson se MediaTek është larg me zhvillimin dhe nuk do të jetë në gjendje të përshtatet në periudhën kohore të lansimit.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Apple do të mund të përpiqet ta zgjidhë "luftën" e vet aktuale me Qualcommin, gjë që mund të çojë në përdorimin e modemëve 5G të Qualcommit.