Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Acer fillon me livrimin e monitorit NITRO EI491CRP 144Hz HDR

Monitori i kompanisë Acer, NITRO EI491CRP, tani është në dispozicion dhe po shitet në Britani të Madhe, ku po livrohet me një çmim prej 800 funtesh. Monitori karakterizohet nga një rezolucion prej 3840 x 1080p, rifreskim prej 144Hz dhe mbështetje për teknologjinë AMD FreeSync 2 HDR, raporton Overclock3D.

Monitori ofron pothuajse gjithçka që i nevojitet një gameri të PC - nga niveli i lartë i rifreskimit e deri tek kompatibiliteti Adaptive-Sync dhe mbështetja HDR (DisplayHDR400). FreeSync 2 HDR mbështetet me rifreskim 120Hz nëpërmjet HDMI 2.0 dhe DisplayPort 1.2, ndërsa norma e rifreskimit prej 144Hz është e mundur kur përdoret modi për overclocking të ekranit. Acer gjithashtu e liston normën variabile të rifreskimit prej 48-120 FPS, e cila në modin overclock zgjerohet në 48-144Hz, shkruan KOHA Ditore.

Sa i përket ngjyrave, Acer EI491CRPbmiiipx (siç është etiketa e plotë e monitorit) ofron mbështetje për spektrin e zgjeruar të ngjyrave, i cili është i barabartë me 90% të mbulueshmërisë DCI-P3. Gjithashtu, monitori ofron nivele të larta kontrasti dhe latencë të ulët të hyrjes së displejit.

Image

Rezolucioni dhe raporti e bëjnë këtë monitor ekuivalent me dy monitorë 1080p, të vendosur krah për krah njëri tjetrit, gjë që modelit Nitro EI491CRP ia mundëson që jetë alternativë ndaj sistemit dual-monitor dhe zgjidhje ideale për gejmerët të cilët kanë nevojë për sisteme të tilla.