Tech

Musku padit OpenAI

Miliarderi amerikan Elon Musk ka paditur kompaninë me bazë në Kaliforni, OpenAI (Inteligjenca Artificiale), në një gjykatë në San Francisco.

Padia është kundër OpenAI, bashkëthemeluesve të kompanisë Sam Altman dhe Greg Brockman, dhe subjekteve të lidhura, duke pretenduar se të pandehurit shkelën marrëveshjet kontraktuale për të zhvilluar inteligjencën artificiale (IA) për të mirën e njerëzimit.

Musku pretendon se në vitin 2015, Altman dhe Brockman e bindën atë të ndihmonte në themelimin dhe financimin e ‘startup’-it të atëhershëm të OpenAI dhe premtuan se do të ishte organizatë jofitimprurëse e fokusuar në konkurrencë me kompaninë Google, raporton TechCrunch.

Marrëveshja kërkonte që OpenAI ta bënte teknologjinë e saj “lirisht të disponueshme” për publikun, sipas padisë.

OpenAI, kompania që qëndron pas sistemit gjenerues të inteligjencës artificiale ChatGPT, megjithatë ka kaluar në një model biznesi fitimprurës pasi formoi partneritet me Microsoftin, i cili investoi rreth 13 miliardë dollarë në të.

“Në realitet, megjithatë, OpenAI është shndërruar në një filial de facto të kompanisë më të madhe të teknologjisë në botë, Microsoft”, thuhet në padi, duke shtuar se OpenAI po përsos inteligjencën artificiale për të maksimizuar fitimet për Microsoftin, jo për t'i shërbyer njerëzimit.

Musku e konsideron këtë procedurë si “tradhti të plotë të Marrëveshjes Themeluese” të ‘startup’-it të atëhershëm të OpenAI. Sipas padisë, Musku i dha Open AI më shumë se 44 milionë dollarë midis viteve 2016 dhe 2020 dhe ishte donatori më i madh i kompanisë në vitet e para.

Elon Musk u largua nga bordi i drejtorëve të OpenAI më 2018 dhe refuzoi të kishte aksione në kompani pas largimit.