Udhëheqësit e vendeve të G7-tës kanë kërkuar të shtunën zhvillimin dhe miratimin e standardeve teknike për inteligjencën artificiale (AI), raportoi të dielën Reuters.
Të mbledhur në Hiroshima të Japonisë, liderët e G7-s nëpërmjet një deklarate kanë thënë se rregullat për teknologjinë digjitale si AI duhet të jenë në përputhje me vlerat demokratike të tyre të përbashkëta.
Marrëveshja ndodhi pasi Bashkimi Evropian, i cili merr pjesë në G7, iu afrua këtë muaj një hap më shumë miratimit të legjislacionit për të rregulluar AI-në, potencialisht ligji i parë gjithëpërfshirës në botë për inteligjencën artificiale.
“Ne duam që sistemet e AI-së të jenë të sakta, të besueshme, të sigurta dhe jodiskriminuese, pavarësisht nga origjina e tyre”, ka thënë të premten presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
ChatGPT i OpenAI-së shtyu Elon Muskun dhe një grup ekspertësh të AI-së të ngrenë alarm në mars duke bërë thirrje për një pauzë gjashtëmujore në zhvillimin e sistemeve më të fuqishme, duke përmendur rreziqet e mundshme për shoqërinë. Një muaj më vonë, ligjvënësit e BE-së u kërkuan udhëheqësve botërorë të gjenin mënyra për të kontrolluar teknologjitë e AI-së, duke thënë se ato po zhvillohen më shpejt se sa pritej.
Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë pasur një qasje të kujdesshme në qeverisjen e AI-së, me presidentin Joe Biden që muajin e kaluar tha se mbetet për t'u parë nëse inteligjenca artificiale është e rrezikshme.
Udhëheqësit e G7-s kanë rënë dakord të premten që të krijojnë një forum ministror të quajtur “Procesi i AI-së në Hiroshima” për të diskutuar çështje rreth AI-së gjeneruese, të tilla si të drejtat e autorit dhe dezinformomi, deri në fund të këtij viti.