WhatsAppi pranon të jetë më transparent për ndryshimet e politikave
Foto ilustrim
Aplikacioni WhatsApp i Metas ka pranuar të jetë më transparent në lidhje me ndryshimet në politikën e tij të privatësisë, të prezantuar në vitin 2021, ka thënë të hënën Komisioni Evropian pas ankesave nga organet e konsumatorëve në të gjithë Evropën, raportoi Reuters.
Organizata Evropiane e Konsumatorit (BEUC) dhe Rrjeti Evropian i autoriteteve të konsumatorëve kanë njoftuar WhatsAppin vitin e kaluar se nuk i ka sqaruar ndryshimet në gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, duke shkelur ligjet e bllokut. Rregullatorët kombëtarë të anëtarëve të BE-së mund të sanksionojnë kompanitë për shkelje.
WhatsAppi tani ka pranuar të shpjegojë ndryshimet në kontratat e përdoruesve të BE-së dhe se si këto mund të ndikojnë në të drejtat e tyre.
Kompania ka konfirmuar gjithashtu se të dhënat personale të përdoruesve nuk ndahen me palë të treta ose aplikacione të tjera të Metas, përfshirë Facebookun, për qëllime reklamimi.
"Konsumatorët kanë të drejtë të kuptojnë se çfarë bien dakord dhe çfarë përfshin konkretisht kjo zgjedhje, në mënyrë që ata të vendosin nëse duan të vazhdojnë të përdorin platformën”, tha Komisioneri i Drejtësisë, Didier Reynders.