Tech

Parlamenti Evropian miraton vetëm një lloj mbushësi për telefona, goditet Apple

Descriptive Text

Parlamenti Evropian miratoi të martën rregulla të reja, të cilat parashohin të ketë vetëm një lloj mbushësi të telefonave celularë në Bashkimin Evropian. I njëjti mbushës, kur rregullorja të hyjë në fuqi më 2024, do të vlejë edhe për tabletët dhe kamerat.

Ky vendim pritet të prekë prodhuesin e iPhone, Apple më shumë se rivalët e saj, raportoi Reuters të martën.

Votimi konfirmon një marrëveshje të mëparshme midis institucioneve të BE-së dhe do t'i bëjë standard të BE-së lidhësit USB-C të përdorur nga pajisjet me bazë sistemin Android, duke e detyruar Applen të ndryshojë portin e mbushësit për iPhone dhe pajisje të tjera.

Ndër ofruesit e mëdhenj të pajisjeve elektronike për klientët evropianë, Apple pritet të jetë ndër më të prekurit, por analistët presin gjithashtu një ndikim të mundshëm pozitiv sepse mund të inkurajojë blerësit të blejnë pajisjet më të fundit të kompanisë.

Marrëveshja prek gjithashtu lexuesit elektronikë, kufjet e veshit dhe teknologjitë e tjera, që do të thotë se mund të ketë ndikim edhe në Samsung, Huawei dhe prodhues të tjerë pajisjesh, thanë analistët.

Apple në të kaluarën ka paralajmëruar se propozimi do të dëmtonte inovacionin dhe do të krijonte një mal me mbeturina elektronike.

Ligjvënësit e BE-së e mbështetën reformën me 602 vota pro. 13 ishin kundër.

Ndryshimi ishte diskutuar prej vitesh dhe u nxit nga ankesat e përdoruesve të iPhone e Android se duhej të kalonin nga një mbushës në tjetrin për pajisjet e tyre.