Tech

Twitteri teston ndryshimin e madh

Descriptive Text

Rrjeti i madh social, Twitter, është duke e testuar një veçori të re që do të bënte ndryshimin e madh në platformë. Sipas njoftimit, është duke u testuar mundësia që përdoruesit t’i editojnë postimet e tyre deri në 30 minuta pas publikimit. Megjithatë do të ruhet edhe mundësia që përdoruesit t’i shohin versionet e mëhershme.

Kompania ka thënë se postimet mund të editohen “disa herë” në gjysmë ore.

Postimet do të kenë një ikonë të veçantë për të bërë të qartë që postimi origjinal është edituar. Klikimi në atë ikonë mundëson shikimin e “historisë edituese”, që përmban versionet e kaluara të postimit.

Testimi po bëhet në kushte të mbyllura dhe pritet të zgjerohet së shpejti në masë. Megjithatë, testimi do të ofrohet vetëm në një shtet fillimisht, ka bërë të ditur Twitteri.

Në një shkrim në blog, Twitteri ka thënë se një buton i editimit ka qenë kërkesa më e madhe nga 238 milionë përdorues të saj. Kompania ka thënë se përdoruesit duhet ta konsiderojnë fazën testuese si “periudhë të shkurtër në të cilën mund të përmirësohen gabimet potenciale”.

Twitteri pati njoftuar qysh në prill se po punon në një buton editimi.