Tech

Netflixi dhe Microsofti bashkohen për një plan më të lirë për abonentët

Netflixi është bashkuar me Microsoftin për të ofruar një plan abonimi më të lirë për klientët që do të shfaqin reklama.

Gjiganti i transmetimit ka thënë se shërbimi do të jetë shtesë e planit ekzistues, i cili nuk përfshinte reklamuesit, raportoi BBC të enjten. 

Në prill, aksionet e Netflixit ranë pasi raportoi humbjen e parë të abonentëve në më shumë se një dekadë.

Muajin e kaluar, shefi Ted Sarandos, tha se kompania është në biseda me bizneset e tjera për të gjetur mënyra për të tërhequr audiencat e ndjeshme ndaj çmimeve.

Kompania ende nuk ka zbuluar sa planifikon të jenë çmimet për shërbimin e ri.

Të enjten, Netflixi ka thënë se ka zgjedhur Microsoftin si partnerin e tij teknologjik të reklamave për të prezantuar një “plan abonimi të mbështetur nga reklamat me çmim më të ulët”.

Netflixi nuk ka dashur kurrë reklama. I tërë modeli biznesor i tij është ndërtuar rreth abonimeve mujore. Megjithatë drejtuesve të tij i është dashur të dalin nga korniza e rregullave të veta.

Kjo erdhi pas të dhënave që treguan se kompania po humbiste abonues.