Tech

Microsofti redukton operacionet në Rusi

Foto: REUTERS / Mike Blake

Kompania teknologjike Microsoft, ka thënë të mërkurën se është duke bërë reduktime të konsiderueshme në biznesin e saj në Rusi, duke iu bashkuar kompanive tjera që po zvogëlojnë operacionet në këtë vend për shkak të krizës në Ukrainë.

Edhe pse me ndryshime, kompania ka thënë se do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ekzistuese kontraktuale me klientët rusë, raportoi të mërkurën Reuters.

Pezullimi i shitjeve të reja që u njoftua gjatë muajit mars, do të mbetet në fuqi.

"Si rezultat i ndryshimeve në perspektivën ekonomike dhe ndikimit në biznesin tonë në Rusi, ne kemi marrë vendimin për të zvogëluar ndjeshëm operacionet tona në këtë vend”, ka thënë një zëdhënës i Microsoftit të mërkurën.

Siç raportohet, nga këto reduktime do të preken më shumë se 400 punonjës.

Lidhjet me Rusinë deri tani i kanë ndërprerë disa kompani të mëdha si Apple, Nike e Dell Technologies.