Tech

Jack Dorsey do të largohet nga Twitteri, 16 vjet pas themelimit të tij

Jack Dorsey raportohet se do të largohet nga bordi i drejtorëve të Twitterit – 16 vjet pas themelimit të platformës sociale.

Ai pritet të tërhiqet përpara blerjes prej 44 miliardë dollarësh nga pronari i Teslas, Elon Musk, njoftoi Daily Mail të mërkurën.

Tërheqja vjen pasi sipërmarrësi u akuzua se e kishte goditur “me thikë pas shpine” pjesën tjetër të bordit duke ndihmuar njeriun më të pasur në botë që ta blejë Twitterin.

Dorsey ka vendosur të largohet nga Twitteri të mërkurën, sipas faqes së lajmeve të biznesit “The Street”.

Në fillim të këtij muaji, sipërmarrësi tha se ishte dakord me vendimin e Muskut për të anuluar ndalimin e paraqitjes në platformë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Musku, i cili është në proces të përfundimit të blerjes prej 44 miliardë dollarësh të Twitterit, zbuloi se synon të revokojë ndalimin, duke e quajtur atë "një vendim moralisht të keq dhe marrëzi në ekstrem".

Trumpi u ndalua nga Twitteri në janar të vitit 2021, si përgjigje për sulmet mbi Kongresin e SHBA-së nga përkrahësit e tij.