Tregu më i madh ilegal në internet është mbyllur nga një operacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë. Operacioni është mbyllur me sekuestrimin e 25 milionë eurove në formë kriptovalutash, kanë bërë të ditur autoritetet gjermane të martën.
“Hydra”, një uebfaqe me gjuhë ruse, sipas zyrtarëve, ishte e specializuar në tregtimin e drogës dhe ka qenë tregu më i madh ilegal online në botë.
“Sot Policia Federale Gjermane, në bashkëpunim me forcat federale amerikane, kanë sekuestruar serverët e ‘Hydra Market’”, thuhet në një njoftim të Departamentit të Drejtësisë në SHBA të martën.
Infrastruktura e uebfaqes në Gjermani tashmë është ndalur pas hetimit tetëmuajsh.
Zyrtarët gjermanë kanë thënë se “Hydra” që kishte më shumë se 17 milionë klientë dhe që po operonte në treg që nga viti 2015, përveç drogës ofronte edhe të dhëna të vjedhura e dokumente.
Hetuesit kanë thënë se “Hydra” kishte 1.35 miliardë dollarë të hyra.
“Hydra” ka funksionuar në Rusi, Ukrainë, Bjellorusi, Kazakistan, Azerbajxhan, Armeni, Kirgistan, Uzbekistan, Taxhikistan dhe Moldavi, sipas ekspertëve.
Hulumtuesit kanë thënë se në vend që “të dërgonte mallrat me postë”, “Hydra” krijonte paketë mallrash që fshiheshin në një vend ku blerësi duhej të shkonte nëpërmjet koordinatave.
Blerësi, shitësi dhe korrierët s’janë takuar kurrë mes vete.