Zyrtarët tashmë ishin të detyruar t’i zgjeronin trajtimet në shtëpi, t’i reduktonin periudhat e karantinës dhe ta riformonin politikën e testimit rreth kompleteve të testit të shpejtë antigjen, pavarësisht shqetësimeve për besueshmërinë e tyre, në mënyrë që të kursehen testet laboratorike për njerëzit në të 60-t e më lart, si dhe për ata me kushte ekzistuese mjekësore që janë më në rrezik për sëmundje të rënda
Koreja e Jugut nuk do ta përdorë më monitorimin GPS për t’i përcjellë karantinat e po ashtu do t’u japë fund edhe telefonatave të kontrollit të përditshëm për pacientët me rrezik të ulët të koronavirusit, pasi rritja e shpejtë e Omicronit po dërrmon punonjësit e shëndetit e të qeverisë.
Përhapja e shpejtë e ka bërë të pamundur të jepet një përgjigje mjekësore e sigurt dhe proaktive, ka bërë të ditur Jeong Eun-kyeong, ekspert kryesor i sëmundjeve infektive në vend.
Dikur histori suksesi
Agjencia Koreane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve ka raportuar 38.691 raste të reja të virusit, një rritje nëntëfishe nga nivelet që u panë në mes të janarit, kur Omicron tashmë ishte bërë lloji dominues i vendit.
Jeongs ka theksuar se vendi mund të shohë ngritje ditore të numrave prej 130.000 ose 170.000 deri në fund të shkurtit.
Koreja e Jugut ishte parë si histori suksesi gjatë pjesës së hershme të pandemisë pasi shtrimet në spital dhe mbikëqyrja e infeksioneve ishte më efektive se shumica e vendeve në Perëndim. Autoritetet shëndetësore punuan ngushtë me kompanitë bioteknike për t’i shtuar testet laboratorike dhe mobilizuan në mënyrë agresive mjetet teknologjike dhe punonjësit publikë për të gjurmuar kontaktet dhe për ta përcjellë karantinimin.
Mirëpo pikat e forta të vendit janë bërë të parëndësishme nga rritja e pashembullt e infeksioneve të nxitura nga varianti Omicron, i cili i ka dërrmuar burimet shëndetësore dhe administrative.
Zyrtarët tashmë ishin të detyruar t’i zgjeronin trajtimet në shtëpi, t’i reduktonin periudhat e karantinës dhe ta riformonin politikën e testimit rreth kompleteve të testit të shpejtë antigjen, pavarësisht shqetësimeve për besueshmërinë e tyre, në mënyrë që të kursehen testet laboratorike për njerëzit në të 60-t e më lart, si dhe për ata me kushte ekzistuese mjekësore, që janë më në rrezik për sëmundje të rënda.
Zbutja e masave
Planet për të lehtësuar më tej mbikëqyrjen dhe karantinat erdhën pasi punonjësit e shëndetësisë dhe ata publikë luftonin që afro 150.000 njerëz me simptoma të lehta të trajtohen në shtëpi, numër që kishte çuar në vonesa të recetave të barnave dhe që kishin paralizuar gjurmimet e kontaktit.
Zyrtarët kanë njoftuar se punonjësit publikë të cilët i kishin mbikëqyrur bartësit e viruseve përmes aplikacioneve të smartfonëve të aktivizuar me GPS tani do të caktohen për të ndihmuar me trajtimet në shtëpi. Bartësve të virusit më nuk do t’u kërkohet të raportojnë në zyrat lokale të shëndetit kur largohen nga shtëpia për të vizituar mjekët, ndërkohë që anëtarët e familjes së tyre me të cilët kanë bashkëjetuar tani mund të dalin lirisht për të blerë ushqime, ilaçe dhe gjëra të tjera thelbësore.
Bartësit e virusit me rrezik të ulët, të cilët janë në të 50-t ose më të rinj dhe nuk kanë kushte mjekësore paraekzistuese, tani do të lihen të monitorojnë vetë gjendjen e tyre dhe të kontaktojnë spitalet lokale nëse simptomat e tyre përkeqësohen. Punonjësit shëndetësorë do të vazhdojnë të bëjnë thirrje ditore kontrolli për njerëzit në të 60-t e tyre e më lart ose ata me kushte mjekësore paraekzistuese.
Strategjia e re
"Po planifikojmë të kalojmë drejt një strategjie antivirus, që është e përqendruar në ruajtjen e funksioneve thelbësore sociale, teksa kemi të bëjmë me një numër të madh infeksionesh dhe njerëz të vendosur në karantinë”, ka vënë në pah Jeong, komisioneri i KDCA-së, gjatë një konference qeveritare.
Derisa Omicroni po përhapet shumë më shpejt sesa versionet e mëparshme të virusit, shkalla e shtrimit në spital dhe e vdekjeve deri më tani kanë qenë më të ulëta se rastet e lidhura me Delta, e cila shkaktoi një rritje shkatërruese në dhjetor dhe në fillim të janarit.
KDCA ka njoftuar se 270 pacientë ishin në gjendje të rëndë ose kritike që nga e hëna, ndërsa më pak se 46% e njësive të kujdesit intensiv të vendit të përcaktuara për trajtimin e COVID-19 ishin të zëna. Megjithatë, ekspertët thonë se ngarkesa në rritje e rasteve në vend ka të ngjarë t’i rrisë shtrimet në spital në javët e ardhshme.
Që nga e hëna, 86% e një popullsie prej më shumë se 51 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht dhe gati 55% kanë marrë vaksina përforcuese.
Përktheu: Blerta Haxhiu