Tech

Google po investon 1 miliard dollarë në Indi

Descriptive Text

Google po investon deri në 1 miliard dollarë në një kompani të madhe telekomunikacioni indian, një lëvizje që shpreson se do ta ulë koston e telefonave inteligjentë në një treg të madh dhe në zgjerim të shpejtë.

Google bëri të ditur në një deklaratë të premten, se do të investonte 700 milionë dollarë në Bharti Airtel, operatori i dytë më i madh i telekomunikacionit në Indi, dhe do të fitonte 1.28% të aksioneve në kompani. Ndërkohë, 300 milionë dollarë shtesë do të përdoren për marrëveshje të mundshme tregtare shumëvjeçare.

Sipas Airtel, të dy kompanitë duan të punojnë me prodhuesit e pajisjeve për të "shembur barrierat e posedimit të një smartphone".

Marrëveshja, e cila është ende subjekt i miratimeve nga Rregullatorët, shënon shtytjen më të fundit të Google në një treg që është bërë kritik për firmat e Big Tech, që kërkojnë të zgjerojnë gjurmën e tyre globale.

India, vendi i dytë më i populluar në botë, ka 750 milionë përdorues të internetit, me qindra milionë të tjerë që pritet të kyçen në internet për herë të parë. Dhe ndryshe nga fqinji i saj më i populluar Kina, India ka mirëpritur shuma të mëdha investimesh nga teknologjia amerikane: Facebook (FB), Google, Amazon (AMZN), Netflix (NFLX) dhe të tjerë, të cilët kanë investuar tashmë miliarda dollarë në rritjen e operacioneve të tyre indiane.

Vetëm Google ka grumbulluar tashmë shuma serioze në Indi, duke përfshirë një investim prej 4.5 miliardë dollarësh dy vjet më parë në Jio Platforms, një rival i Airtel që është pjesë e perandorisë së teknologjisë së miliarderit Mukesh Ambani. Kjo marrëveshje u shpall pjesërisht si një mënyrë për kompanitë për të zhvilluar një smartphone super të lirë për tregun vendas. Ata lansuan telefonin e tyre të parë inteligjent 4G me kosto të ulët në fund të vitit të kaluar.