Saktësisht 380 mijë e 806 parapagues të internetit janë regjistruar në tremujorin e dytë të vitit 2021 në Kosovë, bazuar në të dhënat e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Një përmbledhje e publikuar nga ky autoritet ka treguar po ashtu se në vend janë afro dy milionë numra mobilë aktivë.
Në harta të shumta botërore Kosova është renditur vazhdimisht në majë të listave si vendet me shpërndarje më të mirë të internetit. Të dhënat e fundit e dëshmojnë këtë. Aktualisht, në tremujorin e dytë të 2021-s në vend janë regjistruar mbi 380 mijë parapagues. Kjo shënon rritje prej 1.87 për qind apo 7006 parapagues në krahasim me tremujorin e parë të vitit. E në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pra tremujorin e dytë të 2020-s, rritja është 11.06 për qind. Në vend janë më shumë se 12 operatorë të internetit.

Numri i lartë i përdoruesve të internetit është edhe në telefona mobilë. Qasja në rrjetin 3G dhe 4G në tremujorin e dytë sivjet ka arritur në një milion e 488 mijë përdorues. Kjo regjistron rritje prej 16.75 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe 1.03 për qind në krahasim me tre muajt e parë të vitit 2021. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë që nga viti 2017. Nga këta përdorues, 781 mijë prej tyre e përdorin rrjetin 4G, dhe 707 mijë atë 3G.
Sa i përket përdoruesve të telefonisë mobile në tremujorin e dytë sivjet u regjistruan një milion e 941 mijë e 480 numra aktivë. Kjo paraqet rënie në krahasim me tremujorin e parë të vitit prej 1.7 për qind, por ngritje në raport me tremujorin e njëjtë të një viti më herët – prej 5.29 për qind.
Edhe sivjet ka vazhduar trendi rënës i parapaguesve të telefonisë fikse. Në tremujorin nga prilli deri në qershor janë regjistruar 74 mijë përdorues të telefonisë fikse, që paraqet rënie prej gati katër për qind në krahasim me tremujorin e dytë të vitit të shkuar.
