Tech

Bolsonaro synon që me një dekret t’ua kufizojë fuqinë gjigantëve të teknologjisë

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka nënshkruar një dekret që synon të kufizojë rrjetet sociale nga fshirja e llogarive apo përmbajtjeve.

Bolsonaro ka thënë se ndryshimi i rregulloreve është i nevojshëm për të luftuar “fshirjen arbitrare” të profileve.

Ai tha se legjislacioni i ri do të ndihmonte për ta mbrojtur lirinë e të shprehurit.

Gjatë pandemisë, Twitter dhe Facebook ka fshirë postimet e shpërndara nga presidenti i Brazilit dhe përkrahësit e tij, duke i konsideruara si keqinformuese.

Dekreti i ri synon të japë qartësi mbi fuqinë e kompanive të rrjeteve sociale për të kontrolluar përmbajtjen e platformave të tyre, është thënë nga zyra e Bolsonaros.

Detajet e dekretit që është publikuar deri më tash thjeshtë citon se gjigantët e teknologjisë duhet të ofrojnë “arsyen dhe motivin” para se të fshijnë një llogari apo përmbajtje.

Është e paqartë, se si do të zbatohet urdhri.

Njoftimi vjen në prag të demonstratave masive pro-Bolsonaros nëpër Brazil.

Mbështetësit e presidentit brazilian do të protestojnë kundër Kongresit dhe Gjykatës Supreme të Brazilit, të cilat muajin e kaluar e shtuan emrin e Bolsonaros në emrat e personave që do të hetohen me dyshimin e prodhimit të keqinformatave.