Korporata Ndërkombëtare e Makinerive të Biznesit (IBM), ka bërë të ditur se ka krijuar një çip të madhësisë 2 nanometra, duke u bërë kështu mikroçipi më vogël dhe më i fuqishëm i krijuar ndonjëherë.
Shumica e kompjuterëve aktualisht përdorin çipa të madhësisë 10 nanometra ose 7 nanometra. Ndërsa çipi i ri i IBM-së tani është vetëm 2 nanometër.
Ky po cilësohet si një hap i madh për prodhuesit e telefonave të mençur dhe pajisjeve të transportit.
“Nuk ka shumë teknologji ose përparime teknologjike që përfundojnë duke kaluar të gjitha ato të mëparshmet. Ky është një shembull i kësaj”, ka deklaruar drejtori i hulumtimeve në IBM, Dario Gil.
Çipi i ri 2-nanometër ka afërsisht madhësinë e një thoi dhe përmban 50 miliardë tranzistorë, secili me madhësinë e dy fijeve të ADN-së.
Posedimi i më shumë tranzistorëve do të mundësojë gjithashtu që të ketë më shumë risi në lidhje me inteligjencën artificiale dhe kriptimin, që do të shtohen drejtpërdrejt në çipa.
“Kur e mendojmë se telefonat bëhen më të mirë, veturat bëhen më të mira, kompjuterët bëhen më të mirë, kjo ndodh për shkak se tranzistorët janë shtuar dhe tani kemi më shumë tranzistorë në çipa”, ka shtuar Gil.