Tech

Trumpi kërkon që SHBA-ja të marrë përqindje nga marrëveshja me TikTok-un

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar që Thesari i SHBA-së të marrë përqindje nga shitja e njësive amerikane të firmës kineze TikTok, nëse i blen ato një firmë amerikane, shkruan BBC.

Trump ka thënë se ka bërë kërkesë për një “pjesë të konsiderueshme” të çmimit të blerjes gjatë telefonatës që ka pas me kreun e Microsoftit në fundjavë.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se do ta ndalojë aplikacionin, që është në pronë të firmës kineze ByteDance, deri më 15 shtator nëse nuk ka marrëveshje.

ByteDance është nën presion ta shesë biznesin e saj në SHBA, pas paralajmërimeve të Trumpit ndaj kompanive teknologjike kineze.

Administrata e Trumpit ka akuzuar TikTok-un dhe firmat tjera se kanë ofruar të dhëna te qeveria e Kinës, gjë të cilën TikTok dhe Pekini e kanë mohuar.

“SHBA-ja duhet të marrë një përqindje shumë të madhe të çmimit të blerjes, pasi ne po e bëjmë këtë të mundur”, ka thënë Trump.