Një qendër tregtare në Singapor është duke përdorur një robot të mençur që është krijuar së fundi për të luftuar koronavirusin e ri, jo me kemikale, por me dritë, shkruan agjencia Reuters.
Derisa spërkatja me dezinfektues është bërë normë në shumë vende të botës, roboti përdorë llamba ultravjollcë për të dezinfektuar jo vetëm sipërfaqen, por edhe të çarat ku është e vështirë të depërtohet e madje edhe ajrin.
Sipas Derrick Yapit, firma e të cilit, PBA Group, ka zhvilluar robotin “Sunburst UV Bot”, pandemia e koronavirusit të ri ka paraqitur një mundësi për të testuar robotin në një rol që është “i rrezikshëm, i mërzitshëm dhe i pistë”.
“Është e rrezikshme pasi përdorimi i rrezeve ultravjollcë nuk duhet bërë me njerëzit përreth. I mërzitshëm pasi duhet të vazhdosh të shkosh në një vend dhe të përsërisësh detyrën, dhe pistë, për shkak të COVID-19”, ka thënë Yap.
Rrezet ultravjollcë mund të jenë të dëmshme për lëkurën dhe sytë, që është arsyeja pse roboti, që duket si një grumbull i dritave fluoreshente që po lëvizin në dysheme, po testohet nga Fraser Property Retail, gjatë kohës së mbylljes së qendrës tregtare.
Roboti është i programuar për të fikur dritat ultravjollcë nëse zbulon ndonjë njeri në afërsi. Itinerarin e ka të programuar dhe roboti pritet të përformojë ciklin e pastrimit në mënyrë autonome dhe më pas të karikohet vet.
Yap ka thënë se pret që shpërthimi i koronavirusit të shtyjë kompanitë të përdorin teknologjitë, përfshirë edhe robotët.
“Në të ardhmen do të ketë shumë përdorim të tyre”, ka thënë Yap.
Vetëm një nga Sunburst UV Bot është duke iu nënshtruar këtyre testimeve, por Frasers ka planifikuar të përdorë ata edhe në vende tjera në Singapor.
Por, robotët nuk e kanë koston e ulët, ku një kushton rreth 50 mijë dollarë. Disa po i jepen me qira klientëve për pak mbi 2000 dollarë në muaj dhe disa po i huazohen edhe spitaleve.