Tech

Microsofti lanson emulatorin Surface Duo, së shpejti vjen edhe për Windows 10x

Më vonë, gjatë këtij viti, Microsofti është duke u përgatitur t’i lansojë dy pajisje me ekran të dyfishtë: Surface Duo dhe Surface Neo. Derisa i pari e ekzekuton Androidin, i dyti shfrytëzon një version të ri të sistemit operativ Windows të emërtuar Windows 10X.

Microsofti qysh në nëntor filloi të paralajmërojë se planifikon t’i zhvillojë këto produkte, duke thënë se do të ofrojë më shumë informacione me kalimin e kohës, raporton Neowin.

Tani kompania ka paralajmëruar preview të SDK-ve dhe emulatorëve për pajisjet e reja. Për Surface Duo, kjo është në dispozicion tani. Nëse po mendonit se si do të funksiononte Surface Duo, si do të duket UI, këtë mund ta provoni përmes emulatorit të ri. Do t’ju duhet Android Studio, sepse Microsofti nuk kërkon që programuesit ta përdorin Visual Studio për ta zhvilluar Androidin, megjithëse ai e ka emulatorin e vet Android.

Sa i përket versionit Windows 10X, do të duhet të presim ca kohë, shkruan KOHA Ditore. Microsofti thotë se planifikon ta publikojë preview më 11 shkurt, ndërsa produkti do të emërtohet Microsoft Emulator. Atëherë do të mësojmë më shumë rreth API-ve të reja për pajisjet me ekran të dyfishtë.

Microsofti sugjeron që si i paracaktuar, aplikacioni do ta zë vetëm një ekran dhe përdoruesit do të jenë në gjendje ta zgjerojnë atë në dy. Është, gjithashtu, e mundur ta programoni zgjerimin e aplikacionit në të gjithë ekranin. Kompania, gjithashtu, e ofron një listë kontrolluese për aplikacionin që të funksionojë mirë në formate të reja.