Tech

Çipat Huawei të bazuar në ARM mund të arrijnë në kompjuterët desktop

Huawei tashmë po krijon procesorë Kirin të cilët i funksionalizojnë telefonat e kompanisë, ndërsa gjiganti kinez po e prodhon gjithashtu një linjë të procesorëve Kunpeng të bazuar në ARM, për serverë. Tani si duket kompania po planifikon të krijojë edhe procesorë për kompjuterë desktop, raporton Liliputing.

Pllakat e reja amë Kunpeng D920S10 Desktop mundësojnë që procesori i Huaweit Kunpeng 920 të përdoret në desktop. Çipi Kunpeng 920 është procesor 7nm ARMv8, me një shpejtësi të taktit prej 2.6GHz, i cili do të jetë në dispozicion në versionet katër ose tetë-bërthamëshe.

Plaka Huawei D920S10 do t’i mbështesë deri në 64 GB RAM DDR-2400 dhe deri në gjashtë hard disqe SATA 3.0. Ofrohen gjithashtu dy sllote M.2 për SSD, si dhe tri sllote PCIe (1 x PCIe 3.0 x16, 1 x PCIe 3.0 x4, 1 x PCIe 3.0 x1), shkruan KOHA Ditore. Funksionet e tjera përfshijnë katër porte USB 3.0, katër porte USB 2.0 dhe kontrollerin Ethernet.

Huawei është duke e zhvilluar një sistem operativ alternativ, i cili mund të përdoret në telefona, smart TV dhe pajisje të tjera.