Tech

Mungesa e procesorëve Intel kthen prodhuesit gjithnjë e më shumë drejt AMD-së

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, situata e furnizimit me procesorë Intel është pak më e mirë, por larg ideales.

Duke pasur parasysh që procesi i prodhimit të CPU-ve për kompjuterë është një proces i gjatë, kompleks dhe i shtrenjtë, Inteli për shkak të kapacitetit të kufizuar ka vendosur t’u japë prioritet modeleve të shtrenjta Xeon I Core. Prandaj edhe ka mungesë të modeleve më të lira të CPU-ve, raporton HKEPC.

Duke pasur parasysh shitjet e mira në tregun e kompjuterave dhe komponentëve të PC, Inteli po përpiqet ta shpejtojë shpërndarjen e çipave të veta, por kërkesa është më e lartë kështu që integruesit e sistemit dhe prodhuesit e zgjidhjeve të PC-së po i kthehen gjithnjë e më shumë produkteve të AMD-së, shkruan KOHA DItore. Si rezultat, brendet më të mëdha në botë kohëve të fundit janë gjithnjë e më aktivë në promovimin e PC-ve bazuar në platformën AMD, e cila është duke u bërë më e mirë gjeneratë pas gjenerate.

Tani, jemi dëshmitarë të paraqitjes së një numri në rritje të modeleve të laptopëve të cilët e përdorin gjeneratën e avancuar të procesorëve AMD APU, pjesën e tregut ku Inteli deri më tani ka qenë pothuajse referencë. Nga ana tjetër, tregu i gamingut prej kohësh është duke e përdorur platformën e AMD si një zgjidhje primare.

Kjo shihet veçanërisht në tregun e PC desktopëve, ku AMD është shumë konkurruese, kështu që për shumicën e prodhuesve në këtë moment, zgjidhja më e logjikshme është pikërisht hardueri AMD. Ai edhe është më i mirë, edhe është në dispozicion, edhe është më i lirë...