Tech

Kombinimi i fibrave të drurit dhe mëndafshit të merimangës mund t’i bëjë konkurrencë plastikës

Materiali unik performon më mirë se shumica e materialeve të sotme sintetike dhe natyrale duke siguruar forcë dhe ngurtësi të lartë, të kombinuar me rezistencë të shtuar.

Arritja e forcës dhe zgjatjes në të njëjtën kohë deri më tani ka qenë një sfidë e madhe në inxhinierimin e materialeve: rritja e forcës e ka nënkuptuar humbjen e zgjatjes dhe anasjelltas. Tani hulumtuesit e Universitetit Aalto dhe VTT Technical Research Centre of Finland kanë arritur të kapërcejnë këtë sfidë, të frymëzuar nga natyra.

Hulumtuesit e krijuan një material vërtet të ri me bazë bio, duke i ngjitur fibrat e celulozës së drurit dhe proteinat e mëndafshit që gjenden në fijet e merimangës. Rezultati është një material shumë i fortë dhe elastik i cili mund të përdoret në të ardhmen si një zëvendësim i mundshëm i plastikës, si pjesë e kompozitave me bazë bio dhe në aplikimet mjekësore, fibrat kirurgjikale, industrinë e tekstilit dhe paketime.

Sipas profesorit të Universitetit Aalto, Markus Linder, natyra ofron përbërës të shkëlqyeshëm për zhvillimin e materialeve të reja, si celuloza e fortë dhe lehtësisht e disponueshme dhe mëndafshi i fortë dhe fleksibil i përdorur në këtë studim, shkruan Koha Ditore. Avantazhi i këtyre dy materialeve është se, ndryshe nga plastika, ato janë të biodegradueshme dhe nuk e dëmtojnë natyrën në të njëjtën mënyrë siç e dëmton mikro-plastika.

'Hulumtuesit tanë thjesht duhet të jenë në gjendje t’i riprodhojnë këto veti natyrore', shton Linder, i cili gjithashtu e udhëheq studimin.

“Ne e kemi përdorur pulpën e mështeknës, e zbërthyem atë në nanofibrilet e celulozës dhe i rreshtuam ato në një skelë të ngurtë. Në të njëjtën kohë, e infiltruam rrjetin celulozik me një matricë ngjitëse të butë dhe energji-shpërndarëse mëndafshi të merimangës”, thotë shkencëtari hulumtues Pezhman Mohammadi nga VTT.

Mëndafshi është një proteinë natyrale e cila sekretohet nga kafshët si krimbat e mëndafshit dhe gjithashtu gjendet në fijet e merimangës. Mëndafshi i rrjetit të merimangës i përdorur nga studiuesit e Universitetit Aalto, megjithatë, nuk merret nga rrjetat e merimangës, por përkundrazi prodhohet nga studiuesit që përdorin baktere me ADN sintetike.

“Për shkak se e dimë strukturën e ADN-së, ne mund ta kopjojmë dhe ta përdorim këtë për të prodhuar molekula të proteinave të mëndafshit që janë kimikisht të ngjashme me ato që gjenden në fijet e merimangës. ADN-ja i ka të gjitha këto informacione të përfshira në të”, shpjegon Linder.

“Puna jonë ilustron mundësi të reja dhe të gjithanshme të inxhinierimit të proteinave. Në të ardhmen, do të mund të prodhojmë kompozita të ngjashme me blloqe ndërtimi paksa të ndryshme dhe ta arrijmë një grup karakteristikash të ndryshme për aplikime të tjera. Aktualisht jemi duke punuar në bërjen e materialeve të reja kompozite si implantet, objektet e rezistencës ndaj goditjeve dhe produkte të tjera”, thotë Pezhman.