Tech

Specifikimet e USB4 janë të gatshme për pajisjet e vitit të ardhshëm

USB Implementers Forum (USB-IF) ka njoftuar se organizata i ka krijuar specifikimet teknike finale për USB4. Specifikimet së shpejti do të jenë në dispozicion për dizajnerët, inxhinierët dhe prodhuesit, që do të thotë se produktet e para USB4 mund të priten në vitin 2020, raporton Engadget.

Karakteristika kryesore e standardit të ri është shpejtësia dual-lane 40Gbp, që është e krahasueshme me atë që e ofron transferimi i të dhënave Thunderbolt 3, dhe e dyfishon atë që e mundëson USB 3.2.

USB4 do ta përdorë të njëjtin format si USB type-C, dhe do të jetë kompatibile me USB 3.2, USB 2.0 dhe Thunderbolt 3, shkruan KOHA Ditore. Koneksioni i ri do të jetë i ngjashëm me USB3 në atë që i mbështesin të dy protokollet e të dhënave dhe të ekranit, kështu që në të ardhmen mund të priten më shumë monitorë me koneksione USB sesa me porte HDMI.

USB4 praktikisht do t’i bashkojë të dy standardet (USB3 dhe Thunderbolt 3), duke i krijuar dy linja me koneksione prej 40Gbps e që mund të bëhet një lidhje e unifikuar në të gjitha pajisjet dhe platformat. Kjo do t'u mundësojë të gjithë profesionistëve kreativë, si dhe përdoruesve të përditshëm një përvojë më të mirë me backup dhe transferim më të shpejtë të të dhënave.