Një start-up kompani me bazë në Kaliforni e ka prezantuar çipin më të madh kompjuterik në botë.
Wafer Scale Engine, i dizajnuar nga Cerebras Systems, është pak më i madh se një iPad standard.
Firma thotë se një çip i vetëm mund të drejtojë sisteme komplekse të Inteligjencës Artificiale (AI) në çdo gjë, nga automobilat pa shofer e deri tek programi i mbikëqyrjes.
Megjithatë, një ekspert sugjeroi që inovacioni në fjalë do të ishte praktik për t’u instaluar në shumë qendra të të dhënave.
Pse është i rëndësishëm zhvillimi?
Çipat kompjuterikë në përgjithësi janë bërë më të vegjël dhe më të shpejtë me kalimin e viteve.
Dhjetëra janë prodhuar në mënyrë tipike në një “wafer” të vetëm silikoni, i cili më pas pritet për t’i ndarë ato nga njëra-tjetra.
CPU-të më të fuqishme të desktopit i kanë rreth 30 bërthama procesorësh - secila në gjendje t’i trajtojë llogaritjet e tyre.
GPU-të kanë tendencë të kenë më shumë bërthama, megjithëse ato janë më pak të fuqishme.
Kjo i ka bërë ato tradicionalisht opsionin e preferuar për proceset e inteligjencës artificiale që mund të ndahen në disa pjesë dhe të ekzekutohen njëkohësisht, ku rezultati i cilësdo llogaritjeje nuk e përcakton inputin e tjetrës, shkruan “Koha Ditore”.
Shembuj e përfshijnë njohjen e të folurit, procesimin e imazheve dhe përputhjen e modeleve. GPU-të më të fuqishme i kanë deri në 5000 bërthama.
Por çipi i ri i Cerebras i ka 400,000 bërthama, të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën me lidhje me trafik të lartë.
Firma sugjeron që kjo i jep një avantazh në trajtimin e sfidave komplekse të mësimit të makinerive me më pak vonesë dhe kërkesa më të ulëta të fuqisë sesa kombinimet e opsioneve të tjera.
Cerebras pretendon se Wafer Scale Engine do ta reduktojë kohën e nevojshme për t’i procesuar disa të dhëna komplekse nga muaj në minuta.
Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i kompanisë Andrew Feldman tha që kompania i kishte “kapërcyer sfidat teknike dhjetëvjeçare” që e kishin kufizuar madhësinë e çipit.
“Ulja e kohës së trajnimit e heq një pengesë të madhe në përparimin në mbarë industrinë,” tha ai.
Cerebras e ka filluar liferimin e pajisjeve kompjuterike tek një numër i vogël i klientëve.
Ende nuk ka zbuluar se sa kushtojnë çipat në fjalë.
Cilat janë disavantazhet?
Ndërsa çipat e procesojnë informacionin shumë më shpejt, dr. Ian Cutress, redaktor i lartë në sitin e lajmeve AnandTech, tha që përparimet në teknologji do të vinin me një kosto.
“Një nga avantazhet e çipave më të vegjël të kompjuterit është që ato përdorin shumë më pak fuqi dhe janë më të lehta për t’u mbajtur të ftohta,” shpjegoi ai.
“Kur keni të bëni me çipa më të mëdha se kjo, kompanitë kanë nevojë për infrastrukturë të specializuar për t'i mbështetur ato, gjë që do të kufizojnë se kush mund ta përdorë atë praktikisht.
“Kjo është arsyeja se pse është e përshtatshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale pasi këtu janë paratë e mëdha”.
A është ky çipi i parë AI?
Cerebras nuk është kompania e parë që zhvillon çipa në sistemet e AI.
Në vitin 2016, Google zhvilloi çipa TPU për ta furnizuar softuerin përfshirë aplikacionin e vet të përkthimit të gjuhëve, dhe tani ia shet teknologjinë palëve të treta.
Një vit më pas, Huawei i Kinës njoftoi se çipave Kirin të smartphoneve u është shtuar NPU për të ndihmuar në përshpejtimin e llogaritjes së shumëzimeve të matricës - një lloj matematike e përfshirë zakonisht në detyrat e AI.
Por jo të gjitha përpjekjet e tilla kanë qenë të suksesshme.
Në fillim të viteve 1980, kompania amerikane Trilogy mori qindra miliona dollarë në fonde për ta krijuar super-çipin e saj.
Megjithatë, procesorët u nxehën shumë në testime dhe ishin më pak të fuqishëm sesa mendohej fillimisht.
E bllokuar nga sfidat teknike dhe personale, kompania hoqi dorë nga projekti pesë vjet më vonë.