Tech

Facebooku planifikon pajisjen televizive për video-thirrje dhe shërbime streaming

Facebooku thuhet se e ka kontaktuar Netflix, Disney, Hulu, HBO dhe Amazonin me plane për t’i përfshirë shërbimet e tyre në pajisjen e vet televizive, për të cilën shpreson se do të dalë në tetor. Përveç bashkimit të shërbimeve streaming, pajisja gjithashtu do t'ua mundësojë përdoruesve të bëjnë video-thirrje nga televizorët e tyre, raporton Neowin.

Sipas raportimeve, pajisja e ardhshme e Facebookut do ta përdorë të njëjtën teknologji për video thirrje të integruar tashmë në Facebook Portal, e cila filloi të livrohej nëntorin e kaluar, shkruan KOHA Ditore. Pajisja e re në dokumente shquhet me emrin e koduar Catalina. Pritet që pajisjet Catalina të livrohen me telekomandë fizike dhe shërbime streaming të kompanive të sipër-përmendura.

Nuk është e qartë se si janë duke u zhvilluar aktualisht diskutimet me kompanitë mediatike, pasi që ky informacion nuk është në dispozicion në dokumentet e shfaqura, por fakti që Facebooku e synon lansimin në vjeshtë mund të sugjerojë që marrëveshjet janë afër përfundimit.

Facebooku thuhet se ka biseduar me dyqane në të gjithë Amerikën e Veriut dhe Evropën për shitjen e pajisjes së re.