Ata që kërkojnë një foto/video kamerë të re, mund ta gjejnë pajisjen e tyre të ardhshme në formën e modelit RX100 VII të kompanisë Sony, i cili sapo është prezantuar zyrtarisht, raporton Ubergizmo.
Sony RX100 VII vjen me azhurnime krahasuar me modelin RX100, i cili karakterizohet me performancë të shkëlqyeshme dhe është veçanërisht i popullarizuar tek YouTuberët, për shkak të dizajnit të lehtë i cili i përshtatet qëllimit të vlogimit.
RX100 VII vjen me disa azhurime, veçanërisht në kuadër të vlogimit, shkruan KOHA Ditore. Kjo i referohet portit të jashtëm për mikrofon, i cili do t'u mundësojë vlogerëve ta lidhin mikrofonin me kamerën. Gjithashtu ofrohen disa funksione të reja, si "Single Burst Driving Shoot Mode", i cili mund t’i krijojë deri në shtatë foto në të njëjtën kohë.

Foto/video kamera e ka një sistem të integruar të autofokusit, dhe është e aftë për llogaritje AF/AE prej 60 herë në sekondë. Sony gjithashtu krenohet me shpejtësi të autofokusit prej 0.02 sekondash, duke e bërë atë të ngjashme me modelet e tjera të segmentit të lartë, si Sony A9 dhe A6400.
Sony RX100 VII do të jetë në dispozicion gjatë gushtit, me një çmim prej rreth 1.200 dollarësh.