Samsung Foundry ka certifikuar veglat e partnerëve të vet me kohë për fillimin e zhvillimit të procesit prodhues 5LPE (5nm low-power early).
Teknologjia e re edhe më tutje mbështetet tek litografia EUV e kësaj kompanie, ndërsa certifikimi i veglave dizajnuese ka rëndësi për prodhuesit e çipave që të mund të krijojnë dizajn efikase dhe të besueshme të çipave, përcjell AmandTech.
Veglat shfrytëzojnë bërthamat ARM Cortex-A53 dhe Cortex-A57, të bazuara në teknologjinë 5LPE, ashtu që bërthamat Cortex-A57 edhe më tutje shfrytëzojnë transistorët FinFET, shkruan KOHA Ditore. Pritet që dizajni i ri do të mundësojë efikasitet logjik për 25 për qind më të mirë në krahasim me paraprakun, dhe ajo që është më e rëndësishmja – do të mundësojë 20 për qind më pak shpenzim të energjisë me përmirësim të performancave për 10 për qind.
Theksohet që procesi i ri 5LPE shfrytëzon më shumë shtresa EUV se procesi 7LPP. Parashikohet që linja prodhuese do të kushtojë rreth 4,614 miliardë dollarë dhe do të përfundojë deri në fund të vitit.
Prodhimi do të fillojë në vitin 2020, ndërsa kapaciteti i plotë pritet të arrihet me kohë për telefonat Premium të vitit të ardhshëm.