Kanë kaluar pothuajse një vit që kur Bethesda e prezantoi për herë të parë The Elder Scrolls Blades, versionin e franshizës së popullarizuar për telefona mobil. Në muajin mars filloi qasja e hershme për lojë për ata që e përdorin Android dhe iOS. Tani, loja është në dispozicion për të gjithë, megjithëse është ende në fazën e hershme, raporton KitGuru.
Bethesda i kishte sukseset e para në fushën e smartphonëve me lojën Fallout Shelter, por The Elder Scrolls Blades paraqet një projekt shumë më ambicioz i cili në telefona i sjell dhomat e nëndheshme, questet dhe përvojën RPG. Mikrotransaksionet gjithashtu do të jenë pjesë e lojës.
Në lojën “The Elder Scrolls Blades”, lojtari e merr rolin e kampionit në një qytet të shkatërruar. Gjatë lojës, ai do të kryejë shumë queste, do t’i vizitojë dhomat e nëndheshme, do të mbledhë thesar dhe resurse për ta kthyer qytetin e tij në gjendjen e mëparshme. Me çdo nivel, pikat shpërndahen për shëndetin, magjinë dhe qëndrueshmërinë, ndërsa pajisjet dhe armët vazhdimisht azhurnohen, shkruan KOHA Ditore.
Gjatë lojës zbulohen arkat me gjëra me vlerë, dhe siç është tradita me të gjitha lojërat mobile free-to-play, ekzistojnë tajmerët që e pengojnë hapjen e arkës në të njëjtën kohë me gjetjen e saj. Për ta kapërcyer këtë, përdoret valuta premium në lojë, ose mikrotransaksionet.