Në fund të vitit të kaluar, Microsofti i konfirmoi thashethemet se kompania po e përpunon browserin e vet Edge, duke e përdorur kodin e hapur nga Chrome në vend të EdgeHTML. Këtë fundjavë u paraqitën screenshotet e reja të Edge të bazuara në Chromium (nganjëherë të quajtur Edgium), duke na dhënë një pasqyrë më të qartë të ambicieve të Microsoftit për browserin.

Screenshotet na sjellin The Verge dhe Thurrott, të cilët në mënyrë të pavarur arritën në buildet e brendshme të Microsoft Edgeit të bazuar në Chromium. Edhe pse nuk është publikuar si build i gatshëm për publikun, funksionet në të thuhet se janë goxha stabile.

Në formën e tij aktuale, shfletuesi duket më shumë si Chrome dhe më pak si Edge, por Microsofti e ka implementuar një numër të madh të ndryshimeve vizuale të cilat shërbimi do t’i integrojë në dizajnin e Windows 10 në vend të Google Material Design. Kjo është veçanërisht e vërtetë për faqen Settings.

Funksioni shtesë, me të cilin shumë njerëz do të jenë të kënaqur, është se Edge është duke e përgatitur modin e errët eksperimental. Gjithashtu, sinkronizimi i ri bazohet në llogarinë e përdoruesit në Microsoft, dhe jo në llogarinë Google.
Është konfirmuar se ekstensionet ekzistuese të Chrome funksionojnë siç pritej në Edgein e ri, të cilat mund të instalohen direkt nga Chrome Web Store. Faqja New Tab gjithashtu është ndryshuar plotësisht. Edge tani ofron opsione, si "Inspirational", si dhe prapavija më tradicionale për faqe "Informational" dhe "Focused", shkruan KOHA Ditore.

Në përgjithësi, përshtypja e parë është se Microsoft Edge i bazuar në Chromium do të jetë një zëvendësim i denjë për browserin aktual, i cili është i paracaktuar për Windows 10. Do të jetë interesante të shohim nëse produkti final do të jetë në gjendje ta tërheqë ndonjë numër të madh të përdoruesve nga Chrome.