Tech

Lansohet “Stadia”, një shërbim ku mund të luhen video-lojëra të fuqishme në Chrome pa konzola

Descriptive Text

Gjiganti i kërkimit, Google, ka lansuar “Stadia”-n, një shërbim që do të mundësojë të luhen lojëra të fuqishme në shfletuesin e internetit, Chrome, pa pasur konzola si Playstation apo XBox, dhe pa pasur kompjuter me kartelë grafike të fuqishme. Duhet vetëm një lidhje interneti dhe video-lojërat do të ofrohen pak a shumë me parimin e Netflix-it për filma.

Drejtuesit e Google premtojnë që ky sistem është në gjendje t’i hapë video-lojërat e fundit me cilësi të lartë pamore, 4K, dhe me 60 fps (60 fotoimazhe për sekondë). “Doom Eternal” do të jetë një nga video-lojërat e para të platformës, e cila do të ofrohet brenda këtij viti.

Përpunimin e rëndë grafik që i nevojitet lojës për t’u shfaqur aq bukur, do ta bëjë Google në serverët e tyre. Pra, gjithë punën që do të bënte kompjuteri juaj. Kjo ngre dyshime se sa e qëndrueshme do të jetë lidhja. Nëse do të ketë vonesa në përgjigje, si për shembull lojtari ta shtypë butonin për të vepruar tani, dhe karakteri në ekran të lëvizë pak sekonda më vonë, aq sa për ta bërë të pamundur vazhdimin normal të lojës. Kjo është pika ku Google duhet të tregohet bindëse.

Drejtuesit e Googlet thonë që përparësia e kompanisë së tyre për ta mundësuar këtë shërbim pa ndërprerje e pa vonesa, është infrastruktura e serverëve të Google, me fibra optike, e shpërndarë në të gjithë botën, që nuk e ka asnjeri tjetër. “Kemi rreth 7.500 pika qendrore serveri në të gjithë rruzullin, të gjitha të lidhura në një rrjet të vetëm”, thotë kryeinxhinieri Majd Bakar.

Ky sistem, sipas Googlet, do të vihet në punë falë një bashkëpunimi me AMD-në, e cila do të ofrojë kartela grafike me fuqi 10 teraflop, që do të përpunojnë video-lojërat për disa përdorues njëherësh, si dhe procesorë të cilët Google do t’i ofrojë nga një për çdo lidhje lojtari. Veç tyre, Google po bashkëpunon edhe me Unity, programin që krijon lojëra edhe falas, e që do t’u vihet në dispozicion komunitetit të dizenjuesve të lojërave edhe në platformën “Stadia”.

Image

Sistemi “Stadia” nuk do të ketë nevojë për ndonjë konsolë më vete, por do të jetë i instalueshëm si çdo aplikacion tjetër, në kompjuterë desktopë, celularë, laptopë, tableta e madje edhe në televizorë “Smart”. Loja pastaj mund të vazhdohet me tastiera ose me ‘joystick’ të zakoneshëm. Gjithsesi, Google do të hedhë në treg edhe një ‘joystick’ të ri, i cili do të ketë një buton “Youtube”, që të gjithë lojën që ke bërë ta ngarkosh menjëherë në kanalin e famshëm Youtube, të regjistruar si video.

Për ata që mund ta kenë të vështirë ta besojnë suksesin e kësaj metode, mendoni që deri pak vite më parë, video-lojërat mund të merreshin vetëm me disqe. Sot, disqet janë zhdukur dhe video-lojërat po shkarkohen drejtpërsëdrejti nga interneti, qoftë në konsolat Playstation e XBox, ashtu edhe në kompjuterë, me shërbime si “Steam”. Por tani që interneti po ofrohet i shpejtë edhe në familje, edhe në celularë, Google duket se synon të heqë nga qarkullimi edhe këto të fundit./TopChannel