Kompania e njohur kineze e teknologjisë, Lenovo, sot në MWC 2019 (Kongresin Botëror për Celularë) ka zbuluar disa laptopë të rinj për bizneset, duke përfshirë 14e Chromebook Enterprise dhe 14w Enterprise.
Me procesor A4 që AMD e ka prezantuar në panairin e teknologjisë CES 2019 për Chromebookët, 14e Chromebook Enterprise premton një dizajn të ri “nga toka lartë”, transmeton Koha.net. Po ashtu, vjen me skaje të ngushta, aplikacionet Chrome për ndërmarrje dhe edukim, si dhe plotëson kërkesat e Lenovos për qëndrueshmërinë e edukimit.
Gjithashtu, 14e Chromebook Enterprise vjen me 8 GB DDR4 RAM memorie dhe 64 GB eMMC memorie të brendshme, si dhe me ekran 14-inç FHD, shkruan neowin.
Ndërkaq, Lenovo 14w Enterprise vjen me procesor A6 të AMD-së, i cili po ashtu është i dizajnuar për Chromebookët, por punon me sistemin operativ Windows 10 Pro. Po ashtu, ka një dizajn të ri dhe skaje të ngushta, por ofron ekran Touchscreen (të ndjeshëm në prekje), pakon Office 365 dhe Staffhub, përcjell Koha.net. 14w Enterprise, po ashtu, vjen me 8 GB RAM memorie dhe 128 GB eMMC ose 256 GB M.2SSD, si dhe me ekran 14-inç FHD.
Të dy, 14e Chromebook Enterprise dhe 14w Enterprise do të jenë në dispozicion në SHBA nga muaji i ardhshëm, duke filluar me çmim prej 279 dollarë dhe 299 dollarë. Nuk do të jenë në dispozicion në regjionet EMEA (Europë, Lindja e Mesme dhe Afrikë).