Storie suksesi

Dafina Eshrefi

Foto: video nga 20minuten

Dhashtë zoti në të ardhmen do të blej një copë toke në Kosovë. Sepse është toka nga vij unë. Jam regjistruar enkas për të pasur të drejtën të blej tokë në Kosovë.

1. Në cilin vit keni mërguar?

Në dhjetor të vitit 1991.

2. Çfarë ju kujtohet më së shumti nga fillesat e jetës në botën perëndimore?

Unë isha vetëm 7 vjeçare, kur mërguam në Zvicër dhe fillimisht më dukej si një pushim i çuditshëm aventuristik. Babai im punonte në Radio Televizjonin e Prishtinës dhe kishte humbur punën sikurse faktikisht edhe të gjithë kolegët e tij shqiptarë në atë periudhë. Unë isha e vetëdijshme se ne shqiptarët në Kosovë ishim të diskriminuar. Po ashtu i kisha përjetuar edhe sulmet me helm gjatë orarit shkollor. Nuk e harroj kurrë atë ditë kur gjatë mësimit një granatë (apo ku ta di unë çka ishte ajo) e përplasi dritaren e klases sime dhe fëmijët filluan të bërtasin, qajnë dhe vraponin dhe iknin nga shkolla. S’i harroj dot fytyrat e trishtuara dhe të shokuara të fëmijëve dhe nënat që kërkonin fëmijët e tyre duke thërritur emrat e tyre. Unë isha nxënëse e klasës së parë të shkollës fillore “Vuk Karaxhiq” në Prishtinë. Do të thotë edhe si fëmijë isha e vetëdijshme që ne shqiptarët ishim në rrezik dhe të diskriminuar. Muajt e parë i kaluam në «heime» për azilkërkues. Dy javët e para isha vetëm me mamin dhe vëllain tim 11-vjeçar, pastaj erdhi edhe babai dhe na u bashkangjit. Ishim në një strehimore për azilkërkues në Zürich, dhe prindërit na thonin se maksimalisht 6 muaj do të qëndrojm në Zvicër. Ata thonin përherë «vetëm sa të qetësohet situata në Kosovë», pastaj do kthehemi. 3-4 muajt e parë më janë dukur si një pushim i gjatë dhe interesant. Isha kurioze për gjuhën dhe ushqimin zviceran, punëtorët që kujdeseshin për ne fëmijët, kisha shumë shoqe dhe shokë (fëmijë të familjeve tjera refugjate) etj.. Pas kësaj periudhe u vendosëm në një katund të vogël me disa qindra banues në veri të Zvicrës, afër me Gjermaninë. Aty kemi përjetuar si familje një «Kulturschock». Ishim e vetmja familje e huaj dhe jetonim në një shtëpi të vjetër që përpara kishte qenë stallë e një bujku. Nuk kishim as kuzhinë, apo banjo të vertet. Por më së shumti ishte problemi se kultura zvicerane në këto katundet e vogla është krejt ndryshe nga kultura shqiptare. Mami shpeshherë në mbrëmje shikonte nga dritarja jashtë dhe pyeste: «A jeton vallë dikush në këto shtëpi?!» Sepse nuk shihnim njerëz fare, s’kishte asnjë njeri në rrugë. Unë si e lindur dhe rritur në Prishtinë, kisha shumë vështirësi me situaten e re. Aty filloi të më kaplojë mërzia për shoqet dhe shokët dhe natyrisht edhe familjen time në Kosovë, që kishim lënë pas. Dhe thjesht më mungonte Prishtina! Mbrëmjet në korzo, ku dilja po thuajse çdo mbrëmje me familjen time, Teatri Kombëtar, ku shpesh takoheshim me hallën time (Melihate Ajeti), më mungonte edhe Radio Televizioni i Prishtinës, sepse ne jetonim faktikisht në kompleksin e RTP-së. Më mungonte familja e mamit në fshat, dajat dhe tezet e mia. Më mongonin mbrëmjet në Prishtinë kur dilnim me babin tim në videotekë dhe huazonim filma (videokaseta). Më mungonte era e qofteve, më mungonte ezani i hoxhës, deri sa edhe sorrat më mungonin!

Kur fillova shkollën, nuk dija as një fjalë gjermanisht. Por shkolla dhe mësueset më kanë pëlqyer shumë, që nga fillimi. Kjo ishte e vetmja gjë që më pëlqente më shumë se në kosovë. Mësuesja në Kosovë na i rrahte duart me shkop, apo na poshtëronte para gjithë klasës. (Më vonë kam kuptuar që kam qen në klasën paralele me futbollistin Lorik Cana)

Por, të kthehem prapë në Zvicër: Fëmijët ishin në vitet e para shumë të ftohtë dhe diskriminues ndaj meje dhe vëllait tim. Unë pushimin e gjatë, pothuajse deri në klasën e tretë e kam kaluar në WC. Gjatë pushimit të gjatë (pauza në ora 10.00) nuk ke të drejtë të qëndrosh në WC, por unë bëja kinse duhej të shkoja në toalet, për të mos qëndruar vetë jashtë, sepse thjesht askush nuk luante me mua. Merrja një libër me vete dhe lexoja, apo këndoja në WC... nuk e kam pasur kurrë të vështirë të qëndroj vetëm, andaj edhe s’mërzitesha fort. Isha nxënëse shumë e mirë dhe gjuhën e mësova shumë shpejt. Mësueset i kam pasur gjithmon shumë të angazhuara. Edhe pse fëmijët fillimisht më përjashtonin, s’më bëhej vonë, sepse e kisha mbështetjen e familjes sime.

Një mëngjes, unë isha në klasën e parë, disa nxënës të klasës së gjashtë ma mbyllën derën e shkollës dhe nuk më linin të hyja brenda, ma tregonin gishtin e mesëm dhe e bënin gjeste me dorë, se do të me prisnin në fyt. Unë e tronditur duke qarë u ktheva në shtëpi te mami dhe i tregova se çfarë kishte ndodhur. Ajo më detyroi të kthehesha në shkollë dhe të ankohesha te mësuesja ime. Por unë nuk e flisja ende gjuhen. Kryesorja, e mblodha veten dhe u ktheva duke qarë.

Nuk jam dorëzuar kurrë.

3. Si ka rrjedhur integrimi juaj dhe në çfarë vështirësi keni hasur?

Integrimi im ka rrjedhur përmes shkollës, sportit dhe muzikës. Kam qenë pjesë e grupit gjimnastik, kam qenë në klubin e basketbollit, në klubin e volejbollit , ku çdo javë udhëtoja me biçikletë në një katund 9 kilometra larg nga katundi ku jetoja unë. Isha nxënëse e shkëlqyeshme (nuk dua të tingëlloj arrogante) dhe nuk dorëzohesha kurrë. Prej klasës së tretë rregullisht merrja pjesë në pushime skijimi që organizoheshin nga shkolla. Në fillim kur nuk kisha ende shumë shoqe, kaloja shumë kohë në bibliotekë. Dilja të kalëroja me kuaj, merrja qenushët e komshinjve për t’i shëtitur, kisha edhe mësim për piano, punoja në pushimet shkollore në vjelje rrushi (si të gjithë fëmijët e katundit)... dhe kështu me kalimin e kohës e gjeta vendin tim në shoqërinë zvicerane.

Fillimi ishte shumë i vështirë, sepse kemi përjetuar diskriminim dhe racizëm. Disa fëmijë vinin gjatë pauzes dhe më pyesnin kur do të kthehem në Kosovë. Ishte për mua shumë poshtruese, sepse e kisha ndjenjën që nuk isha pjesë e shoqërisë. Pastaj mendonin se në Kosovë jetojmë në male. Mendonin se nuk dija çfarë ishte TV-ka apo telefoni. Sa të qeshurin e bënim me vëllain tim, sepse ne ishim rritur me babain tim, i cili ishte në atë kohë edhe kameraman dhe ne ishim rritur në mesin e RTP-së, me gazetarë, kamera, etj...

Në klasën e gjashtë kam qenë në qendër të vëmendjes së nxënësve, kisha kaluar provimin pranues për gjimnaz, krejt katundi më njihte për të mirë, fëmijët që më kishin diskriminuar në fillim, tani ishin shokë të ngushtë dhe djemtë me të cilët isha rrahur sepse me ngacmonin për prejardhjen time, tani dashuroheshin në mua. J
Babai e kishte një shprehi, më pyeste: «Dafina nga je?» unë i thoja me plot krenari: «Jam qytetare e Prishtinës?», ai pastaj më ngacmonte: «E Prishtinës, e rame në katund!»

4. Çfarë lidhjesh mbani me atdheun dhe ç’rëndësi ka ai në jetën tuaj?
Atdheu për mua ka rëndësi shumë të madhe. Dhashtë zoti në të ardhmen do të blej një copë toke në Kosovë. Sepse është toka nga vij unë. Jam regjistruar enkas për të pasur të drejtën të blej tokë në Kosovë. E dua kulturën shqiptare dhe jam krenare për prejardhjen time. Nuk jam në asnjë mënyrë nacionaliste, por thjesht e dua vendin tim dhe rrënjët e mia. Në Kosovë kam ende shumë familjarë me të cilët mbaj kontakte dhe mundohem t’i vizitoj rregullisht. Për mua është me rëndësi edhe që fëmijët e mi, të cilët kan lindur në Zvicër të kenë një lidhje me Kosovën, qoftë edhe vetëm përmes pushimeve verore.

5. Sa herë në vit mesatarisht vizitoni Kosovën?
Një herë në vit. Tani për shkak pandemisë nuk e kam vizituar prej shkurtit 2020 kur isha për ta intervistuar Albin Kurtin për gazetën javore SonntagsBlick.

6. Sa ka ndryshuar Kosova sipas përshtypjes suaj?
Nuk di a mund ta vlerësoj unë. Por sipas përshtypjes sime, kanë ndryshuar pak njerëzit, sepse edhe jeta ka ndryshuar. Do doja që vlerat shqiptare, si mikëpritja dhe solidariteti mes shqiptarëve, të mos ndryshojnë kurrë. Këto vlera unë mundohem t’ua mësoj edhe fëmijëve të mi.

7. Çfarë ju mungon më së shumti nga Kosova në mërgim?
Unë tani ka disa vite që jetoj në zemrën e Zürichut dhe këtu e kam gjetur veten, sigurisht edhe pse jeta në Zürich ngjan me atë në Prishtinë.

Më mungon nganjëherë ajo lehtësia dhe dashamirësia e njerëzve.

8. Mendoni të ktheheni një ditë për të jetuar në Kosovë?
Po të kthehesha në Kosovë, atëhere vetëm dhe vetëm për të ndërtuar diçka të re dhe për t’i ndihmuar shoqërisë. Të shohim çfarë do na sjellë e ardhmja.

9. Na e përshkruani më gjerësisht angazhimin tuaj profesional?

Unë jam gazetare dhe për momentin punoj për gazetën/portalin «20 Minuten»(www.20min.ch).

Me 3 milionë lexues në ditë, është gazeta më e lexuar në Zvicër. Përpara kam punuar për gazetën javore «SonntagsBlick».

Fillimin në media e kam bërë në moshën 17-vjeçare në vitin 2001, ku kam fituar një konkurs në VIVA si moderatore. Para karrierës sime si gazetare kam punuar si përkthyese shqip-gjermanisht për institucione të ndryshme. Për këtë edhe kam absolvuar në studime në Universitetin e Zürichut (ZHAW). Gjat studimeve të linguistikës më është ringjallur dashuria për gazetarinë dhe kam kaluar në institutin e mediave të fakultetit të Zürichut (ZHAW). Në vitin 2017 kam filluar të punoj si online-producente për blick.ch, dhe në vitin 2019 kam kaluar si redaktore në javoren «SonntagsBlick».

Image

10. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për mërgatën?
Mendoj se Kosova duhet të ndërmarrë projekte për t’i mbrojtur vajzat dhe femrat shqiptare nga dhuna në familje (domestic violence). Për fat të keq dhuna ndaj gruas në shoqërinë tonë shqiptare është një temë tabu. Këtë ia kam thënë edhe kryeministrit, Albin Kurtit, në shkurt të 2020 kur e kam takuar për intervistë. Gjatë kohës kur kam punuar si përkthyese, kam pasur shumë raste, ku vajza të reja ishin në situata shumë të vështira. Ishin martuar me një djalë shqiptar nga Zvicra, kishin ardhur nga Kosova këtu për t’u martuar, dhe kishin përjetuar gjëra të tmerrshme(dhunë fizike, psikike, seksuale). Ato vajza nuk e dinin as gjuhen gjermane, sepse kanë qenë të izoluara në familjet e burrit.

Duhet të ketë vetëdijesim për këtë temë të rëndësishme, çdo vit vdesin gratë shqiptare – edhe në Zvicër – nga dhuna e bashkshortit. Kosova duhet të ketë një institucion special i cili ju ndihmon viktimave – edhe në mërgatë.

Përndryshe s’jam fort adhuruese e shoqërive paralele, me rëndësi është që shqiptarët në mërgatë të jenë pjesë e shoqërisë ku jetojnë.

Video: 20min.ch & blick.ch